Pyetje: Ka nje pytje per umrexhite ne Medine: nuk futemi dot ne xhami te Profetit dhe shohim njerez te cilet falen jashte por jashte vijes se imamit a eshte namazi ne rregull nese falem ne safe jashte para imamit?
Përgjigje :
Rregulli bazë në këtë çështje është se xhemati duhet të falet pas imamit.
Nëse dikush falet para imamit atëherë namazi i tij nuk është i saktë.
Argument për këtë është hadithi i Aishes r.a. se profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Imami është vendosur për t’u pasuar nga xhemati”. Transmeton Buhariu (688) dhe Muslimi (412).
Ky është mendimi i medhebit hanefi, shafi dhe hanbeli.
Ibn Kudameh ka thënë: “Tradita profetike është që xhemati qëndron pas imamit, por nëse qëndron para imamit, atëherë namazi i tyre nuk është i saktë. Ky është edhe mendimi i Ebu Hanifes dhe Shafiut”. El-Mugni 3/52
Ndërsa mendimi i medhebit maliki është se nuk është e pëlqyeshme që namazi të falet në këtë mënyrë (pra ndonjëri apo një pjesë e xhematit të falet para imamit), por megjithatë ai është i saktë dhe i vlefshëm. Kurse nëse falet para imamit për ndonjë arsye të fortë siç mund të jetë vendi i ngushtë dhe mosgjetja e ndonjë hapësire për t’u falur pas imamit, atëherë namazi i tij është i saktë dhe nuk është më mekruh (i papëlqyer) siç ishte në rastin e parë kur dikush falet para imamit pa arsye.
Në librin e medhhebit maliki
(Hashijetul-Adevij ala Kifajetit- Talib Er-rabbanij 1/307) thuhet: “Nëse xhemati falet para imamit, me arsye si psh. kur nuk i nxë xhamia, atëherë lejohet dhe nuk është mekruh”.
Vlen për t’u përmendur se ky është edhe mendimi i vjetër i imam Shafiut dhe një nga mendimet e transmetuara nga imam Ahmedi.
Disa dijetarë midis të cilëve edhe Ibn Tejmije, kanë zgjedhur një mendim më mesatar në këtë çështje, duke marrë në konsideratë shkakun e faljes së namazit para pozicionit të imamit duke thënë se nëse ka arsye që e detyrojnë të falet para imamit, siç është dyndja e madhe dhe mosgjetja hapësirë për t’u falur pas imamit, atëherë nëse falet para imamit atëherë namazi i tij është i vlefshëm, por nëse falet para imamit pa ndonjë arsye, atëherë namazi i tij nuk është i vlefshëm. Ky është edhe mendimi i dhënë nga disa institucione bashkohore të fetvave siç myftinia e Egjiptit, komisioni europian i fetvave, etj. Gjithsesi në këtë qëndrim, edhe pse lejohet falja e namazit në rastet e sipërmendura, siç është dyndja e madhe dhe mosgjetja hapësirë pas imamit, theksohet fort se ky lejim është në raste shumë specifike dhe xhemati duhet të mos neglizhojë por të përpiqet shumë të gjejë vend për t’u falur pas imamit.
Allahu e di më së miri.
https://lidhjaehoxhallareve.com/