Pyetje:
Njeriu a është i lirë të zgjedhë veprat apo është i imponuar, sepse ajeti “E kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…” (Kehf: 29) aludon në atë se njeriu është i lirë, derisa ajeti “Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron All-llahu, Zoti i botëve!” (Tekvir: 29) na bën të kuptojmë se veprat i janë të imponuara njeriut.
A mund të na tregoni nëse ka në mes këtyre dy ajeteve mospajtim, apo çfarë është në pyetje?
Përgjigja:
Njeriu edhe është i lirë, por është edhe i imponuar në të njëjtën kohë; pra, të dy çështjet janë prezente. Ai është i imponuar nga aspekti se caktimet dhe vendimet e Allahut, Subhanehu ve Teala, e përshkojnë edhe këtë; iu nënshtrohet këtyre caktimeve natyrshëm (kevnen) e detyrimisht (kadaen), dhe se nuk ka mundësi t’iu ikë caktimeve të Allahut, Subhanehu ve Teala, të cilat i janë caktuar këtij. Pra, prej këtij aspekti njeriu është i detyruar – i imponuar.
Ndërsa prej aspektit të zgjedhjes së veprave, ai është i lirë, sepse ai – me dëshirën dhe vullnetin e tij – i bën disa, ndërsa disa të tjera i braktis. Pra, prej këtij aspekti ai është i lirë dhe ka dëshirë-vullnet, por vullneti apo dëshira e tij është pasuese e dëshirës, vullnetit dhe caktimit të Allahut, Subhanehu ve Teala. Mu për këtë ai shpërblehet për vepra të mira, ndërsa ndëshkohet për mëkate, të cilat i bën me dëshirën dhe zgjedhjen e tij.
Ndërsa njeriu i cili nuk ka zgjedhje dhe dëshirë, si: i detyruari, harruesi dhe i paafti (i dobëti) për ibadete – këta nuk ndëshkohen, sepse nuk kanë mundësi zgjedhjeje për disa shkaqe: për shkak të humbjes së vetëdijes, dobësisë, dhe si të tillë, pa mundësi zgjedhjeje për të bërë mirë apo keq, përjashtohen nga ligji i përgjithshëm dhe nuk ndëshkohen, sepse nuk janë të lirë dhe nuk kanë vepruar sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre.
Sa i përket dy ajeteve: “Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron All-llahu, Zoti i botëve!” (Tekvir: 29) dhe “E kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…” (Kehf: 29), ato janë përforcuese dhe përkrahëse të asaj që thamë, sepse Allahu, Subhanehu ve Teala, njeriut i përshkroi dëshirë dhe Vetes dëshirë, por duke sqaruar se ajo është pasuese dhe nën dëshirën e Allahut, Subhanehu ve Teala.
Ndërsa ajeti “E kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…” (Kehf: 29) nuk flet për zgjedhje – bë ç’të duash, beso ose mos beso – por është kërcënim dhe vërejtje. Thotë Allahu, Subhanehu ve Teala: “E ti thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata…’” (Kehf: 29)
Pra, kjo thjesht është një kërcënim dhe vërejtje që nëse njeriu bën mëkate dhe i bën Allahut, Subhanehu ve Teala, shok, do të ndëshkohet, sepse ai u bë pabesimtar (kufr) me dëshirën e tij, dhe mu për këtë e meriton ndëshkimin e Allahut, Subhanehu ve Teala, dhe hyrjen në Xhehennem përgjithmonë.
Thotë Allahu, Subhanehu ve Teala: “Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata…” (Kehf: 29)
Pra, Allahu, Subhanehu ve Teala, i ndëshkon për shkak të padrejtësisë së tyre ndaj vetvetes, e jo për ndonjë shkak tjetër.
Marrë nga: islamway.com / Myftiu: Salih Bin Fevzan El-Fevzan
Përshtati: Sedat Gani Islami




