Pyetja:

Çfarë gjykon feja për njeriun që shan të vdekurit apo ua zbulon të metat atyre?

Përgjigja:

Allahu caktoi që shenjtëria apo dinjiteti i muslimanit të jetë prej shenjtërimeve (gjërave që nuk lejohen të nëpërkëmbën) më të mëdha, duke ua obliguar muslimanëve dhe muslimaneve ruajtjen e saj. Këtë e kuptoi selefi para halefit dhe, siç transmeton Ibni Hibbani dhe Tirmidhiu me sened të mirë nga Abdulah b. Omeri, se ai një ditë kishte shikuar Qaben e Madhërishme dhe i kishte thënë:

“Sa madhështore që je dhe sa shenjtëri të madhe që ke, por muslimani është më i shenjtë se ti.”

Shenjtëria e muslimanit nuk është e lidhur vetëm me jetën e tij, ajo vazhdon edhe pas vdekjes së tij dhe duhet të ruhet e mbrohet çdoherë dhe në çdo mënyrë.

Buhariu transmeton nga Ibni Abbasi, i cili kishte përcjellur kufomën e Mejmunes, nënës së besimtareve, me ç’rast kishte thënë:

“Kjo është gruaja e Pejgamberit, alejhi’s-salatu ve’s-selam. Kur ta ngritni arkivolin e saj, mos e lëkundni dhe mos e luhatni, por silluni butë!”

Ibni Haxheri, në koment të këtij hadithi, ka thënë:

“Nga ky hadith përfitojmë parimin se shenjtëria e muslimanit pas vdekjes së tij është sikurse në të gjallë të tij.”

Për këtë ka hadith, si ai që transmeton Ebu Davudi dhe Ibni Maxheh, dhe të cilin e ka cilësuar të saktë Ibni Hibbani:

“Thyerja e ashtit të muslimanit të vdekur është sikurse thyerja të ishte gjallë.”

Është e ditur se tekstet fetare ndalojnë rreptësisht dhe në përgjithësi sharjen e muslimanit, duke mos bërë dallim në mes të gjallit apo të vdekurit. Buhariu dhe Muslimi, e edhe të tjerët, transmetojnë nga Ibni Mes’udi se Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, ka thënë:

“Sharja e muslimanit është vandalizëm (hipokrizi), ndërsa luftimi i tij është pabesim.”

Ibni Haxheri sinjalizon se hadithi në fjalë flet për rëndësinë e së drejtës së besimtarit dhe se sharja e tij pa të drejtë është hipokrizi, shkelje e normave fetare dhe vandalizëm.

Muslimi dhe Ebu Davudi transmetojnë nga Ebu Hurejre se Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, ka thënë:

“Fyesit janë në atë që thonë; barra i bie atij që ia ka filluar, përveç nëse tjetri ia ka tepruar (dhe kthyer edhe me më shumë ofendime).”

Ka thënë Imam Neveviu në koment të këtij hadithi:

“Domethënia e këtij hadithi është se mëkati i sharjes-ofendimit reciprok i bie atij që ia fillon, përveç nëse tjetri ia tejkalon në ofendime dhe i thotë të parit më shumë se sa që ai i ka thënë atij…”

Disa thanë se meqë njeriu po i hakmerret me llafosje dhe fjalosje, atëherë të parit nuk i mbetet më mëkat, por vetëm një qortim dhe përbuzje e asaj nisme të keqe. Disa kanë thënë se ai ka qenë shkaktar dhe atij i mbetet barra e fillimit të mëkatit…

Këto dhe tekste të tjera ruajnë dinjitetin e besimtarit, duke mos bërë dallim në mes jetës apo vdekjes së tij, dhe në mënyrë përmbledhëse mund të konkludojmë se sharja e besimtarit është, në përgjithësi – i gjallë apo i vdekur – mëkat i madh. Nëse kësaj ia shtojmë edhe tekstet e veçanta, të cilat në mënyrë specifike ndalojnë sharjen e të vdekurit, atëherë ndalesa bëhet edhe më e fuqishme.

Buhariu, Nesaiu dhe Imam Ahmedi transmetojnë nga Aisheja, nëna e besimtareve, se Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, ka thënë:

“Mos i shani të vdekurit, ngase ata tanimë kanë shkuar atje ku e kanë përgatitur vendin e tyre.”

Disa dijetarë janë munduar ta arsyetojnë ndalesën e sharjes së të vdekurve për shkak të shqetësimit të të gjallëve, ndryshe të vdekurin nuk e gjen asgjë nga sharja apo ofendimi i tij. Ibni Hibbani transmeton në Sahihun e tij nga Mugire b. Shu’beja se Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, ka thënë:

“Mos i shani të vdekurit që t’i shqetësoni të gjallët.”

Nëse sharja e besimtarit përdoret për sharjen apo akuzimin me fjalë të palës tjetër, ndalimin e sharjes së besimtarit pas vdekjes pak të paqartë e kanë bërë disa tekste, të cilat – për disa njerëz – në fillim janë të komplikuara.

Përballë argumenteve që përmendëm më parë, do të përmendim një hadith që e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga Enes b. Maliku: se kur një xhenaze kishte kaluar pranë tyre, u lavdërua nga njerëzit, ndërsa Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, tha:

“U aprovua! U aprovua! U aprovua!”

Më pas kaloi një tjetër, por u përmend për të keq, dhe edhe në këtë rast Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, tha:

“U aprovua! U aprovua! U aprovua!”

Omeri, nga kureshtja që ta mësonte sekretin dhe urtësinë e kësaj përgjigjeje profetike, pyeti:

“Të qofshin falë babai dhe nëna ime! Kaloi një xhenaze dhe u përmend për të mirë, ndërsa ti the: ‘U aprovua! U aprovua! U aprovua!’ Pastaj kaloi një tjetër dhe u përmend për të keq, ndërsa ti the: ‘U aprovua! U aprovua! U aprovua!’?”

Tha Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam:

“Kë ta lavdëroni për të mirë, për të është Xhenneti, ndërsa kë ta përmendni për të keq, për të është Xhehennemi. Ju jeni dëshmitarët e Allahut në tokë!”

Sipërfaqësisht ky hadith tregon se lejohet përmendja për të keq e të vdekurit, gjë e cila mund të quhet ofendim, ngase Pejgamberi, alejhi’s-salatu ve’s-selam, e aprovoi atë që dëgjoi në prani të tij.

Kjo është shkak që disave ndalesa e përgjithshme iu pështjell për shkak të vështirësisë së përputhjes së këtyre teksteve. Ndërsa ata që i përputhën dhe i bashkuan kuptimisht këto tekste, ata caktuan raste të veçanta të ofendimit të të vdekurit apo përgojimit të tij.

Ndoshta Buhariu, në Sahihun e tij, kur vuri një kre: “Kreu mbi atë që ndalohet nga sharja e të vdekurve”, ka aluduar në këtë, duke e shfrytëzuar pjesëzën “nga”, e cila shërben për diçka të pjesërishme.

Disa dijetarë, duke u munduar ta bëjnë bashkimin e këtyre teksteve sipërfaqësisht të kundërta, menduan se sharja është diçka tjetër dhe përmendja për të keq është diçka tjetër, kështu që ndalohet sharja, por jo edhe disa forma të përmendjes së të keqes. Ka thënë Imam El Menavi:

“Sharja nuk është sikurse përmendja e së keqes, dhe po të thoshim se nuk kanë dallim, atëherë do të lejohej ofendimi i të vdekurve të këqij dhe do të ndalohej ofendimi i të vdekurve të mirë.”

Përfundimisht:

Dispozita e ndalimit të sharjes apo ofendimit të të vdekurve është e ngjashme me dispozitën e sharjes dhe ofendimit të të gjallëve; kush lejohet të përgojohet në të gjallë, lejohet të përgojohet edhe pas vdekjes, si: pabesimtari, hipokriti, mëkatari që bën mëkatet haptazi, thirrësi për ndonjë rrugë apo lëvizje të devijuar, etj. Të këqijat e tyre, siç përmendeshin në të gjallë të tyre, përmenden edhe pas vdekjes së tyre, që njerëzve t’u bëhet e qartë puna e tyre, të jetë një vërejtje dhe mjet për t’i larguar prej tyre – por gjithsesi me argumente dhe dëshmi të qarta – ndryshe ajo do të ishte një shpifje dhe përgojim i ndaluar.

Ndërsa sa i përket besimtarëve të tjerë, pra atyre që nuk janë hipokritë, ndalohet rreptësisht sharja, ofendimi, përgojimi, përgjimi, etj., të gjallë apo të vdekur qofshin. Imam Neveviu ka thënë:

“Ndalimi vlen për besimtarët e sinqertë, ndërsa për hipokritët, të gjithë pabesimtarët, ata që sheshazi bëjnë mëkate apo risi – nuk ndalohet përmendja e tyre për të keq, në mënyrë që njerëzve t’u tërhiqet vërejtja nga pasimi i rrugës së tyre…”


Dr. Ahmed b. Abdul Kerim Nexhib
[Përshtati në shqip: Sedat Gani Islami]
www.saaid.net