​Çfarë duhet të dini për Tavafin rreth Qabesë?

​♦️ Tavafi rreth Qabesë

​▪️ Tavafi është një lloj adhurimi i cili përmban rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë, duke filluar nga këndi që mban Gurin e Zi të cilin duhet ta kesh në të majtë, për të mbaruar pastaj në të njëjtin vend në mënyrë që rrotullimi të jetë i plotë.

​▪️ Ky lloj adhurimi për nga rregullat e kryerjes së tij ngjan me Namazin, sepse Profeti -alejhi selam- ka thënë:

​“Tavafi rreth Shtëpisë së Allahut është Namaz, veçse Allahu i madhëruar e ka lejuar të flasësh. Prandaj ai që flet, të flasë fjalë të mira” dhe në një transmetim tjetër “t’i pakësojë fjalët!”

 

​E transmeton Nesai, Hakimi dhe e saktëson Shejh Albani!

​➖ Fjala e tij për Tavafin “është Namaz” do të thotë: ai që bën tavaf duhet të preokupohet me Dhikr dhe me Lutje, siç preokupohet namazliu! Madje ky adhurim për shkak të kësaj ngjashmërie që ka me Namazin duhet të jetë edhe me Abdes sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.

​▪️ Pas çdo Tavafi falen dy rekate namaz mbrapa Mekami Ibrahimit, siç ka porositur Allahu i madhëruar në suren El-Bekare.

​▪️ Tavafi si adhurimi nuk duhet të ketë qenë para ndërtimit të Qabesë, sepse ajo është ndërtesa e parë për adhurimin e Allahut të madhëruar në Tokë dhe mosekzistenca e ndonjë objekti tjetër më të hershem se ajo, do të thotë mosekzistim i këtij adhurimi para saj.

​➖ Këtë adhurim Allahu i madhëruar siç nuk e ka ligjësuar para ndërtimit të Qabesë, nuk e ka ligjësuar për asnjë objekt tjetër pas saj, çfarë do të thotë se Qabeja është vend i veçantë dhe simbolika e tij nuk është si simbolika e vendeve të tjera.

/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/