Të treguarit e padrejtësive që një person ka përjetuar nuk konsiderohet përgojim i ndaluar, nëse qëllimi është ankesa, kërkimi i së drejtës, marrja e mësimit ose paralajmërimi nga dëmi.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahut nuk i pëlqen të flitet keq haptazi, përveçse nga ai që i është bërë padrejtësi. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.”
(En-Nisa: 148)

Prandaj, atij që i është bërë padrejtësi i lejohet të tregojë vetëm atë që i është bërë, si: rrahja, sharja, privimi, cenimi i të drejtave apo sjellja e keqe. Nuk lejohet të shtojë gënjeshtra, shpifje, teprime apo t’u bëjë padrejtësi të tjerëve.

Kjo përfshin edhe rastin kur nëna ose gjyshja u tregojnë fëmijëve për vuajtjet që kanë përjetuar nga të afërmit, me qëllim që ata të marrin mësim dhe të shmangin probleme të ngjashme në të ardhmen. Prandaj, lejohet edhe dëgjimi i këtyre tregimeve.

Megjithatë, më e mira është që të mos përmenden emrat e personave, nëse nuk ka nevojë, por të tregohen ngjarjet në mënyrë të përgjithshme. Në këtë mënyrë arrihet qëllimi i këshillës dhe i mësimit, ndërsa shmanget përgojimi i një personi të caktuar.

Pra, përfundimi është:

I dëmtuari mund të tregojë padrejtësinë që i është bërë.

Duhet të flasë vetëm aq sa është e vërtetë dhe e nevojshme.

Nuk lejohet gënjeshtra, shpifja, teprimi apo përmendja e gjërave të panevojshme.

Më e mira është të mos përmenden emrat, kur qëllimi mund të arrihet edhe pa ta.

Falja dhe heshtja, kur nuk humbet ndonjë e drejtë, janë më të mira.

Allahu e di më së miri.

 

Përmbledhje nga islamQA / Solli në gjuhën shqipe hoxhë Sabahudin Selimi
Pyetja nr.: 237941