Pyetja:
Jam një i ri musliman që punoj në një vend perëndimor, në një depo për shpërndarjen e produkteve ushqimore nëpër tregje dhe dyqane. Ne i mbledhim këto produkte dhe i ngarkojmë në kamionë për t’u dërguar nëpër tregje. Në mesin e produkteve që mbledhim ka perime, fruta, produkte të qumështit, mishra e të tjera.
Ndonjëherë ndodh që një klient të porosisë mish derri ose produkte që rrjedhin prej tij, dhe atëherë na kërkohet t’i mbledhim dhe t’i ngarkojmë në kamionë.
Pyetja ime është: Cili është gjykimi i Sheriatit për këtë punë? Duke pasur parasysh se edhe vendet e tjera të punës që gjenden, si restorantet dhe kafenetë, gjithashtu shërbejnë ushqime që përmbajnë mish derri.
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Nuk lejohet shitja e mishit të derrit, as të punësohesh me pagesë për bartjen e tij dhe as të ndihmosh në të në çfarëdo forme, për shkak të fjalës së Pejgamberit, SalAllahu alejhi ve selem:
“Vërtet, Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, cofëtinës, derrit dhe idhujve.”
(Buhariu, nr. 2082; Muslimi, nr. 2960)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë:
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, e mos e ndihmoni njëri-tjetrin në mëkat dhe armiqësi. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu është i ashpër në ndëshkim.”
(El-Maide: 2)
E njëjta vlen për çdo gjë për të cilën është vërtetuar se është e ndaluar: nuk lejohet të ndihmohet në të. Këtu përfshihet shërbimi i alkoolit, cofëtinës, mishit të gomarit shtëpiak dhe gjërave të tjera të ndaluara, qoftë në restorante apo në vende të tjera.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ju janë ndaluar cofëtina, gjaku, mishi i derrit, ajo që është therur në emër të dikujt tjetër përveç Allahut, kafsha e mbytur, ajo e goditur për vdekje, ajo që është rrëzuar nga lartësia, ajo që është goditur me brirë dhe ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni…”
(El-Maide: 3)
Muslimani e ka për detyrë t’i frikësohet Allahut të Lartësuar, të kërkojë fitim hallall dhe të largohet nga fitimi haram. Sepse çdo trup që është ushqyer dhe është rritur nga fitimi haram, zjarri është më i denjë për të, siç ka thënë Pejgamberi, SalAllahu alejhi ve selem:
“Çdo trup që është rritur nga fitimi haram, zjarri është më i denjë për të.”
E transmetojnë Taberaniu dhe Ebu Nuajmi nga Ebu Bekri, radijAllahu anhu. Albani e ka vlerësuar hadithin si të saktë në Sahih el-Xhami‘, nr. 4519.
Dijetarët e Komisionit të Përhershëm për Fetva janë pyetur për punën në restorante ku shërbehen pije alkoolike dhe mish derri.
Ata janë përgjigjur:
“Është e ndaluar të punosh dhe të fitosh duke ndihmuar në konsumimin e gjërave të ndaluara, si pijet alkoolike dhe mishi i derrit. Edhe pagesa që merret për këtë është e ndaluar, sepse kjo bën pjesë në bashkëpunimin në mëkat dhe armiqësi. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë me fjalën e Tij: ‘Mos e ndihmoni njëri-tjetrin në mëkat dhe armiqësi.’ Ne të këshillojmë të largohesh nga puna në këtë restorant dhe në vende të ngjashme, sepse kështu shpëton nga ndihma në diçka që Allahu e ka ndaluar.”
(Fetavatë e Komisionit të Përhershëm, 13/49)
Përfundimi:
Nuk ka problem që të punosh në këtë depo, me kusht që të mos ndihmosh në asgjë që është haram: as në shitjen, mbledhjen, bartjen apo në ndonjë formë tjetër të ndihmës për të.
Allahu e di më së miri.
Burimi: Islamqa – Pyetje dhe Përgjigje
Pyetja nr. 85191 / Solli në gjuhen shqipe hoxhë Sabahudin Selimi




