Para farzit të ikindisë nuk ka sunete të rregullta (e të cilat i Dërguari salAllahu alejhi ue selem nuk i ka lënë pa i falur), sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i fal 12 rekate brenda ditës (jashtë farzeve), do t’i ndërtohet një shtëpi në xhenet.” Këtu nuk përfshihen katër rekatet para farzit të ikindisë.

Mirëpo, është mirë të falen katër rekate para namazit farz të ikindisë, këto janë namaz nafile. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë person i cili i fal katër rekate para (farzit të) ikindisë!”

Ngjashëm siç ka thënë: “Atij i cili i fal katër rekate para (farzit të) drekës dhe katër pas saj, Allahu ia ndalon xhehenemin.” Pas farzit të drekës janë veç dy rekate sunet. E këto dy rekatet e tjera është mirë të falen dhe janë prej nafileve.

Sa i përket çështjes pas ikindisë, nuk ka namaz sunet pas saj, edhe pse disa dijetarë kanë mendimin se janë dy rekate sunet pas, siç është prej tyre shejkh Albani rahimehullah. Por mendimi më i saktë është se pas ikindisë nuk falet asgjë deri në perëndimin e diellit. Dy rekatet të cilat transmetohet se i ka falur i Dërguari salAllahu alejhi ue selem pas namazit të ikindisë, kanë qenë dy rekate prej sunetit të drekës, me ç’rast i kanë ikur.

Hoxhë Lulzim Perçuku