Pyetja:

A ka ndonjë argument që vërteton se Allahu është trup?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Realiteti qëndron se çdo pyetje që bëhet pa qëllim të keq, nuk përbën problem në thelbin e vet, por sidoqoftë fatlumi që kërkon diturinë islame, sidomos diturinë më të rëndësishme të saj që është njohja e Allahut të Madhëruar përmes emrave dhe cilësive të Tij, duhet të bëjë kujdes që për njohjen në fjalë t’i përmbahet metodës së Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah (Ithtarëve të Praktikës Profetike të Unifikuar në të) dhe ta bëjë këtë metodë busullën e tij të jetës, si në besimin e tij (veprat e zemrës) ashtu edhe në veprimin e tij (veprat e gojës dhe gjymtyrëve).

Në kuadrin e pyetjes suaj, vlen të thuhet se përmendja e fjalës trup si cilësi e Allahut, nuk ka ardhur as në formën mohore dhe as në atë pohore, as në Kuran, as në Sunet (traditën profetike) dhe as është thënë nga ndonjëri prej dijetarëve të tre gjeneratave të para islame apo prej imamllarëve elitarë pas tyre; së këtejmi del si detyrë që e tillë gjë të shmanget. Muslimani e di mirë se besimi arrihet përmes përmbajtjes së të mësuarit tek burimet autentike të shpalljes islame (Kurani, Suneti dhe Konsensusi i eruditëve muslimanë), zbatimit të diturisë së marrë prej këtyre burimeve, thirrjes në to dhe dashurisë e mirësjelljes ndaj kujtdo që kapet pas tyre.

Shumë gjuhologë janë të mendimit se fjala “trup” angazhon ngjarje (ndodhi), prandaj ajo nuk lejohet të thuhet për Allahun; kurse fjala “gjë” lejohet të thuhet për Allahun, sepse ajo nuk angazhon ngjarje (ndodhi). Në këtë kontekst imam Ahmedi e ka ndaluar përdorimin e kësaj fjale për Allahun e Madhëruar, duke thënë: “Emrat merren nga sheriati (ligji) dhe gjuha. Gjuhologët këtë emër e kanë vendosur për atë gjë që ka gjatësi, gjerësi, strukturë (montim) dhe përbërje (përzierje). Ndërsa Allahu i Madhëruar është jashtë nga e gjitha kjo, prandaj nuk lejohet që Ai të quhet trup, sepse Ai është jashtë trupëzimit dhe (sepse) kjo nuk ka ardhur në sheriat (kodin ligjor islam), prandaj kjo është e padrejtë.”

Po kështu, personi që thotë se Allahu është “trup jo si trupat e tjerë”, duhet të këshillohet dhe t’i bëhet thirrje që të qëndrojë tek cilësitë me të cilat Allahu i Madhëruar e ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij (Kuran) ose nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij ﷺ, duke iu përmbajtur metodës së selefëve (tre gjeneratave të para muslimane).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi