Përgjigje: Nuk është vërtetuar nga Profeti ﷺ ndonjë lutje e veçantë për përfundimin e Kuranit, as në parim me vetë praktikën e përfundimit të tij, e as për një formulë të caktuar duasë.
Pra, nuk ka një tekst të saktë dhe të konfirmuar për këtë çështje.
Sa i përket selefëve (gjeneratave të para), është transmetuar nga Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se kur e përfundonte leximin e Kuranit, i mblidhte familjarët e tij dhe pastaj bënte dua për ta. Ky është një nga transmetimet më të qëndrueshme dhe më të njohura në këtë temë.
Nga ana praktike, disa dijetarë dhe imamë e kanë vepruar këtë. Është transmetuar, për shembull, nga Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe gjithashtu nga disa imamë të Mekës, si Sufjan ibn Ujejne, i cili ishte ndër imamët e mëdhenj të brezit pasues të tabi’inëve. Madje ai mendonte se duaja pas përfundimit të Kuranit mund të bëhej edhe në namaz (vullnetar), siç ka transmetuar Ahmed ibn Hanbeli dhe të tjerët.
Prandaj themi se përfundimi i Kuranit dhe bërja e duasë pas tij është një gjë e mirë. Nëse dikush e bën, është mirë dhe e lavdërueshme; por nëse nuk e bën, kjo nuk e dëmton aspak hatmen (përfundimin) e tij të Kuranit.
A duhet që njeriu të përdorë një lutje të caktuar pas përfundimit të Kuranit?
Disa njerëz kanë disa dhikre ose lutje të shkruara; madje në disa mus’hafe shtypet një dua në fund të Kuranit. Por kjo nuk është një lutje e detyrueshme apo e konfirmuar në mënyrë të prerë. Ato janë thjesht përmbledhje lutjesh që disa dijetarë i kanë përmendur sipas pëlqimit të tyre, duke mbledhur fjalë të bukura dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo ndonjëherë u lehtëson njerëzve të thjeshtë që nuk dinë si të shprehen mirë dhe si ta formulojnë lutjen, duke u dhënë disa fjalë me të cilat mund të luten. Por nëse njeriu lutet me fjalët e veta, kjo është mëse në rregull, sepse çdo njeri e di më mirë nevojën dhe gjendjen e tij. Prandaj ai mund t’i lutet Allahut me çfarëdo fjalësh që dëshiron.
Allahu e di më së miri.
Shejh Abdulaziz Et-Tarifi
https://t.me/ShejhTarifi




