Nxjerrja e Zekatit para plotësimit të kohës për shkak të vlerës së Ramazanit
Zekati është një nga shtyllat themelore të Islamit dhe një prej adhurimeve më të mëdha që pastron pasurinë dhe zemrën e besimtarit.
Parimi bazë në sheriat është që zekati të dhurohet pasi të kalojë një vit i plotë (haul) mbi pasurinë që arrin nisabin, dhe atëherë ai duhet të nxirret pa vonesë.
Megjithatë, dijetarët e kanë sqaruar se lejohet përshpejtimi i zekatit, pra nxjerrja e tij para plotësimit të vitit, nëse për këtë ekziston një arsye e ligjshme dhe një dobi e qartë.
Një ndër arsyet më të rëndësishme është dëshira për ta nxjerrë zekatin në muajin e bekuar të Ramazanit, duke shpresuar në shpërblimin e madh dhe në bereqetin e këtij muaji.
Kjo mbështetet në hadithin qe Transmeton Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti ﷺ e lejoi Abbasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ta përshpejtojë zekatin e tij, madje duke e dhënë atë për dy vite paraprakisht.
Ky hadith është argument i qartë se nxjerrja e zekatit para kohës së tij është e lejuar, kur ekziston nevoja apo një qëllim i mirë.
Nga ana tjetër, Ramazani është muaj i mëshirës, i faljes dhe i shumëfishimit të shpërblimeve. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më bujar, ndërsa bujaria e tij shtohej edhe më shumë në Ramazan, siç transmeton Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Kjo tregon se shtimi i sadakasë dhe ndihma ndaj të varfërve në këtë muaj është një prej veprave më të dashura tek Allahu.
Prandaj, nëse një besimtar vendos ta nxjerrë zekatin e tij në Ramazan para se të plotësohet viti, me qëllim që të arrijë vlerën dhe shpërblimin e këtij muaji të madhërishëm, kjo është e lejuar dhe e pranuar sipas shumicës se dijetarëve.
Megjithatë, duhet theksuar se nuk lejohet vonimi i zekatit pas kohës së tij vetëm për ta dhënë në Ramazan, përveç nëse ekziston një arsye e vlefshme. Sheriati nxit që obligimet të përmbushen në kohën e tyre, ndërsa përshpejtimi i tyre për një qëllim të mirë është i lejuar dhe i lavdëruar.
Allahu e di më së miri.
/Hoxhë Fuad Ferati/




