Përgjigje:
Janë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me lejimin e agjërimit nafile përpara se të kompesohen ditët e ngelura nga Ramazani, të cilat përblidhen në dy mendime kryesore:
✿ – Mendimi i parë: lejohet që t’i agjërosh gjashtë ditët e muajit Sheual, para se t’i agjërosh ditët e ngelura nga Ramazani.
Ky është qëndrimi i pjesës dërmuese të dijetarëve të medhhebit Hanefi, Shafi dhe Malikij.
Ndërkaq sipas Hanefitëve kompenzimi i ditëve të ngelura është obligim, por jo menjëherë, mund të plotësohet edhe më pas, pasi koha për plotësimin e tyre është mjaft e gjerë dhe kjo shkon deri në Ramazanin e ardhshëm. Na tregohet se Aishja -Allahu qoftë i kënaqur me të- i plotësonte ditët e mbetura nga Ramazanit pak para hyrjes së Ramazanit, më saktë në muajin Shaban
[Buhariu dhe Muslimi]
✿ – Mendimi i dytë: Medhheb Hanbeli dhe e përkrahin këtë mendim edhe disa dijetarëve të kohës sonë, si: Ibn Baz, Ibn Uthejmin, Allahu i mëshiroftë, e të tjerë, sipas tyre nuk lejohet të agjërohen gjashtë ditët e Sheualit para se të plotësohen ditët e ngelura të Ramazanit.
Ne përkrahim mendimin e parë të dijetareve se ai që e ka çelur disa ditë nga Ramazani për shkaqe fetare si: sëmundje, ardhja e ciklit mujor tek gratë, udhëtim..etj, llogaritet që e ka agjëruar Ramazanin dhe nëse agjëron ditët e Sheualit para kompesimit të ditëve të Ramazanit e arrin vlerën e përmendur në hadith:
”Kush e agjëron Ramazanin, pastaj e pason me gjashtë ditë të Sheualit, konsiderohet sikur e ka agjëruar gjithë vitin”.
Sepse arritja e vlerës së permendur në hadith nuk është e lidhur me kompesimin e ditëve të ngelura duke qënë se vlera e agjërimit të muajit Ramazan është arritur me agjërimin e ditëve që janë agjëruar nga ky muaj; ndërsa për kompesimin Allahu ka lënë hapsirë për të duke thënë:
(فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ ۗ يُرِيدُ اللَّهُ بِكُمُ الْيُسْرََ)
“Le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju” [Bekare: 185]
Kështuqë lejohet fillimi i agjerimit të gjashtë ditëve të Sheualit para kompesimit të ditëve të mbetura nga Ramazani.
✿- Thotë dijetari Abdul-Aziz Et-Tarejfi:
“Lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit para kompesimit. Lejohet agjërimi vullnetar para kompesimit të Ramazanit. Ky është mendimi i Seid ibn Xhubejr dhe është përcjellë edhe nga imam Ahmedi. Veprimi i Aishes -Allahu qoftë i kënaqur me të- argumenton se ajo e vononte kompesimin deri në muajin Shaban dhe është e pamundur që ajo nuk agjëronte gjatë kësaj periudhe (agjerim nafile).”
/Dija e dobishme fetare/



