Pyetje: Si është puna me arin për te meshkujt? Kam dëgju se ari i verdhë është haram për meshkujt, por dua të di më saktesisht, se a është haram ari per meshkujt? Se une kam dëgju se ari i bardhë lejohet?

Përgjigje:

Së pari: Nuk ka dyshim se ari i verdhë është i ndaluar për burrat e këtij umeti. Dhe për këtë ka argumente të mjaftueshme dhe nuk ka mospajtime në mesin e dijetarëve.

Së dyti: Ari në esencë është i verdhë dhe nuk ekziston ari i bardhë. Por, ka mundësi që të jetë ai Platin (mineral i çmuar), të cilin njerëzit e quajnë ari i bardhë, për shkak të bukurisë dhe vlerës së tij. Ose ka mundësi të jetë ari i verdhë dhe origjinal, por i shëndërruar në ngjyrë të bardhë, për shkak të përzierjes së tij me Paladium.

Së treti: Ari i bardhë, nëse është prej Platinit, atëherë ai është i lejuar. Dhe përderisa ai nuk është ari fare, nuk mund edhe të bëhet haram, edhe nëse njerëzit e quajnë si të tillë.

Së katërti: Ari i bardhë, nëse është në realitet i verdhë, por i shëndërruar në ngjyrë të bardhë, për shkak të perzierjes së tij me minerale tjera, atëherë ai është i ndaluar, ngase ai në të vërtetë është ari i vërtetë, vetëmse e ka ndryshuar emrin për shkak të ndryshimit të ngjyrës së tij dhe kjo nuk e bën atë të lejuar.

Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami