Pyetja:
A lejohet gënjeshtra për një send të mirë, mbase Allahu i ka mallkuar gënjeshtarët? Në këtë rast, p.sh. gënjeshtër për të fshehur ihlasin (sinçeritetin) në veprat e mira, si agjërimi t’u thuash të tjerëve që ke ngrënë bukë, ndërkohë që nuk ke ngrënë. A është kjo gënjeshtër e lejuar?
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ekzistojnë hadithe të shumta që ndalojnë gënjeshtrën, sepse ajo është nga mëkatet e mëdha; e dërgon njeriun në moral të ulët dhe është edhe cilësi e munafikëve (dyftyrëshve), ashtu siç kanë ardhur argumente të sakta që e përshkruajnë gënjeshtrën si të tillë.
Por ka tre raste në të cilat lejohet gënjeshtra:
-
pajtimi mes dy njerëzve,
-
në luftë,
-
dhe ndërmjet bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit, për të vazhduar bashkëjetesën dhe dashurinë.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë:
“Nuk është gënjeshtar ai i cili i pajton dy njerëz, nxit në të mirë ose thotë fjalë të mira.”
(Buhariu, nr. 2546; Muslimi, nr. 2605)
Dhe thotë gjithashtu:
“Gënjeshtra vetëm në tre raste lejohet: kur burri i flet gruas së tij për ta kënaqur, në luftë dhe për të pajtuar mes njerëzve.”
(Tirmidhiu, nr. 1939; Shejh Albani e ka konsideruar hasen në librin e tij Sahih el-Xhami, nr. 7723)
Nga këto hadithe kuptojmë se vetëm në këto raste lejohet të gënjejmë dhe nuk quhemi gënjeshtarë.
Ndërsa ajo që përmendet në pyetje është më mirë të shmanget me një mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por jo duke gënjyer. Fshehja e veprave të mira është gjë e mirë, por pa u bazuar në gënjeshtër.
Allahu e di më së miri.
/Përgjigje nga Dr. Adelina Kuçana/




