Pyetja:

Shpesh ndodh që nëna të mallkojë fëmijën e saj, qoftë kur vepron ndonjë problem të vogël, qoftë të madh. Dhe me këtë tek fëmija shkaktohet urrejtje ndaj prindërve. Si është gjykimi Islam për mallkimin?

***

Përgjigjja:

Mallkimi i fëmijëve është prej mëkateve të mëdha. Rasti i njëjtë është edhe me personin që nuk e ka merituar (mallkimin sh.p). I Dërguari i Allahut, ﷺ , ka thënë: “Mallkimi i besimtarit është i barabartë me vrasjen e tij”.
Po ashtu transmetohet se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë:
“Sharja e muslimanit është mëkat, ndërsa vrasja e tij është kufër”. Do t’jua sjellim edhe një hadith në të cilën i Dërguari i Allahut, ﷺ , ka thënë:
“Me të vërtetë, ata të cilët mallkojnë, nuk do të jenë dëshmitarë dhe ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit”.
Është obligim për të gjithë të cilët veprojnë kështu që të shpejtojnë për t’u penduar tek
Allahu dhe të mbajë llogari për gjuhën e tij që të mos i lëndojë fëmijët e vet. Atij i është ligjëruar që ta lusë Allahun, për fëmijët e vet dhe ta lusë që t’i udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të bëjë mirë. Bashkëshorti duhet ta këshillojë bashkëshorten e vet për rrezikun e mallkimit dhe lëndimit të fëmijëve si dhe të tjerëve. Nëse këshilla nuk sjell dobi, duhet ndërmarr një hap tjetër nëpërmjet injorimit të bashkëshortes, aq sa bashkëshorti e sheh të nevojshme dhe të dobishme. Në të gjitha këto nuk duhet harruar edukimin e fëmijës, duke e udhëzuar në të mirë, derisa të bëhen fëmijët të edukuar me moral dhe Islam.

Shejh Bin Baz

Përktheu: Ergin Shala