Pyetja:

A lejohet manipulimi me gjene nga muslimanët?

***

Përgjigja:

I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut Nji, përshëndetjet, paqa dhe shpëtimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka të dërguar tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tone Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, në seancën e tij të pesëmbëdhjetë, të mbajtur në Meke El-Mukerreme e cila filloi ditën e Shtunë 11 Rexheb 1419h që përputhet me datën 31-10-1998 të kalendarit Gregorian, e shqyrtoi çështjen e shfrytëzimit të shkencës së inxhinjeringut gjenetik nga ana e muslimanëve, shkencë kjo që sot zë një pozitë të rëndësishme në fushën shkencore, dhe rreth përdorimit së të cilës janë ngritur shumë pyetje.

Këshilli arriti në përfundim se boshti i shkencës së inxhinjeringut gjenetik është identifikimi i gjeneve, struktura e tyre dhe manipulimi me to përmes eliminimit të disa gjeneve- për shkak të ndonjë sëmundje apo ndonjë shkaku tjetër-, shtimit të disa gjeneve tjera, apo bashkimit të gjeneve me njëri-tjetrin, me qëllim të ndryshimit të tipareve gjenetike trupore.

Pas shqyrtimit, analizës dhe debatit për atë që shkruar rreth kësaj çështje, dhe në bazë të disa vendimeve dhe rekomandimeve të marra në konferenca dhe seminare shkencore, Këshilli vendos sa vijon:

I-Konfirmon vendimin e marrur nga Akademia e Fikhut Islam pranë Organizatës së Konferencës Islamike përkitazi me klonimin me nr. 10/d/2/100 në sesionin e dhjetë të mbajtur në Xhede prej 23-27 Safer të vitit 1418h.

II-Mund të shfrytëzohet shkenca e inxhinjeringut gjenetik për t’u mbrojtur apo për ta shëruar sëmundjen, apo për ta minimizuar dëmin prej saj, por me kusht që nga kjo mos të shkaktohet ndonjë dëm më i madh.

III-Nuk lejohet të përdoret asnjë nga teknikat dhe mekanzimat e shkencës së inxhinjeringut gjenetik për qëllime keqbërëse dhe armiqësore, dhe për çdo gjë që është e ndaluar fetarisht.

IV-Nuk lejohet të përdoret asnjë nga teknikat dhe mekanizmat e shkencës së inxhinjeringut gjenetik për të abuzuar me personalitetin e njeriut dhe përgjegjësinë e tij individuale, apo për të ndërhyrë në strukturën gjenetike të njeriut me pretekst të përmirësimit të gjenezës njerëzore.

V-Nuk lejohet të bëhet asnji gjurmim, apo të bëhet ndonji kurim apo diagnostifikim me gjenet e ndonjë njeriu, përpos së në raste të domosdoshme pasi të bëhet një vlerësim preciz paraprak i rreziqeve dhe dobive të mundshme të lidhura për këto aktivitete, si dhe pas marrjes së pëlqimit të pranuar fetarisht, duke i mbajtur plotësisht sekret rezultatet nga këto kërkime dhe duke i marrur parasyshë dispozitat fetare që konsistojnë në respektimin e njeriut dhe të dinjitetit të tij.

VI-Lejohen të përdoren teknikat dhe mekanzimat e shkencës së inxhinjeringut gjenetik në fushën e bujqësisë dhe kultivimit të kafshëve, me kusht që të merren të gjitha masat e parapara për pengimin që të ndodh çfardo dëmi, bile edhe afatgjat, për njeriun, kafshën apo ambientin.

VII-Këshilli u bën thirrje kompanive dhe fabrikave që prodhojnë artikuj ushqimorë, medicinal si dhe artikuj tjerë përmes shkencës së inxhinjeringut gjenetik, të sqarojnë në specifikacion çka përmban ushqimi përkatës, me qëllim që përdorimi dhe trajtimi i tyre të bëhet në mënyrë adekuate, duke iu ruajtur asaj që është e dëmshme apo e ndaluar fetarisht.

VIII-Këshilli i porosit mjekët, pronarët e laboratorëve dhe reparteve prodhuese që ta kenë frikë Allahun, ta kenë ndërmend se Allahu i sheh dhe i mbikëqyr se çka bëjnë, dhe të largohen nga dëmtimi i individëve, shoqërive dhe ambientit.

Përktheu: Bashkim Aliu