Pyetja:
Një i varfër nuk posedon shtëpi dhe as truall mbi të cilin mund të ndërtojë shtëpinë. Aty pranë, ndodhet një varrezë e vjetër 100 vjeçare ose edhe më e vjetër dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk është varrosur askush tjetër. Ky i varfër kërkon që të ndërtojë një shtëpi në atë varrezë, a i lejohet diçka e tillë?
***
Përgjigja:
Toka ku janë varrosur të vdekurit konsiderohet Vakf i caktuar për ata që prehen aty dhe nuk i lejohet askujt të ndërtojë shtëpi për veten e tij, i pasur apo i varfër qoftë ai. Gjithashtu nuk i lejohet të veprojë diçka që përkon me interesin e tij personal, edhe nëse ajo varrezë është e vjetër. Toka e Allahut është mjaft e gjerë dhe format e shfrytëzimit të hallallit janë të shumta. Prandaj, muslimani duhet të kërkojë atë që i lehtësohet prej rrugëve të hallallit, e sa të shumta janë ato dhe ti largohet asaj që Allahu e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak: 2–3)
Komisioni i përhershëm për studime akademike dhe fetva
Përktheu: Fatjon Isufi