Pyetja:
Pyetja ime konsiston në mendimin a gjykimin e dijetarëve muslimanë në lidhje me pjesëmarrjen në votime, por gjithashtu edhe pjesëmarrjen në politikë apo edhe parlament, duke e kandiduar veten për qëllime të mira në lidhje me përmirësimin e interesave të muslimanëve të vendit. Për më tepër, sepse persona të veçantë (prej nxënësve të dijes) e quajnë pjesëmarrjen në votime dhe për më tepër atë në parlament, kufër (mohim) që të nxjerr prej feje, pasi (sipas tyre) në qoftë se futesh në parlament do të gjykosh me ligj pos ligjit të Allahut të Madhëruar, ndërsa disa të tjerë e lejojnë sa në fjalë me kushte. A mund t’na e sqaroni këtë çështje? A mund të na shpjegoni po kështu shkurtimisht qëllimin e thënies së Imam Albanit (Allahu e mëshiroftë!): “Prej politikës është lënia e politikës”?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Pjesëmarrja në votime për zgjedhjen e një sistemi qeverisjeje që i përmbahet sitemit ligjor islam, është përgjegjësi për muslimanin, përmes së cilës mundësohet përzgjedhja në qeverisje e besimtarëve kompetentë. Ndërsa kur sistemi qeverisës nuk i përmbahet normave ligjore islame dhe bie ndesh me to, si rregull nuk merret pjesë në zgjedhjen e të tillë sistemi dhe përfaqësie qeverisëse, për shkak të pasojave dhe të këqijave të mëdha që vijnë në këtë rast, si: mbështetja tek njerëzit që shkelin ligjet hyjnore dhe prezantimi i kuvendeve të tyre, pleksja a përzierja e të vërtetës me të pavërtetën, bajraku (flamuri) i besimtarëve nuk spikat e triumfon, si dhe nuk bëhet dallimi mes besimtarëve zbatues të ligjeve hyjnore dhe jobesimtarëve shkelës të këtyre ligjeve.
Porse, dijetarë të thelluar të jurisprudencës islame, janë të mendimit se pjesëmarrja në votime apo edhe angazhimi politik a parlamentar në një sistem qeverisës që bie ndesh me normat ligjore islame, është i lejuar nëse: (së pari) ky sistem nuk miratohet dhe (së dyti) këtë pjesëmarrje e kërkon interesi i argumentuar sheriatik (ligjor islam), si: refuzimi i të pavërtetës ose eliminimi i saj sa të jetë e mundur; argumentimi dhe triumfimi i të vërtetës, sipas mundësisë, tërësisht a pjesërisht; eliminimi i të keqes dhe degradimit sa të jetë e mundur; moslënia e terrenit tërësisht në dorë të atyre që dhunojnë ligjet hyjnore dhe prishin rendin në tokë, duke sjellë kësisoj prishjen e dunjasë dhe dinit (fesë) së njerëzve; por kjo e gjitha duhet të bëhet duke mos u pajtuar me të pavërtetën dhe pa e refuzuar të vërtetën.
Ndërkaq, angazhimi në votime është një çështje akoma më e thjeshtë… Lidhur me këtë çështje, dijetari i shquar Ibn El-Uthejmini, është i mendimit se muslimanit i del për detyrë të votojë njerëzit e mirë, pasi përndryshe vendin e këtyre të fundit do e zënë të keqijtë… Madje disa dijetarë janë të mendimit se muslimanit i del për detyrë të marrë pjesë në votime a ngjashëm, kur interesi fetar islam e kërkon një gjë të tillë…
Kurse sa i përket thënies së Albanit: “Prej politikës është lënia e politikës”, interpretimi i drejtë i saj është: “Prej politikës sheriatike është lënia e politikës josheriatike”, si dhe theksohet sa vijon:
Politika sheriatike është padyshim pjesë themelore e jurisprudencës dhe ligjit islam. Kuptimi gjuhësor i artikulimit arab “sijase-politikë” është “përmirësim” dhe angazhimi me të përmes mjeteve të duhura, me pikënisje afirmimin dhe bazament postin a qeverisjen. Ky është edhe kuptimi terminologjik fetar i politikës, që pasqyrohet qartë në thënien profetike: “Politikën e izraelitëve e bënin profetët e tyre. Sa herë që një profet vdiste, një tjetër vinte pas tij”; pra për çështjet e hebrenjve kujdeseshin profetët e tyre (Paqja qoftë mbi ata!), siç bëjnë mbretërit dhe qeveritarët me popujt e tyre.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi