Pyetja:

Pyetja është për çështjen e votimeve, personalisht kam dëgjuar fetva të shejh Abadit i cili thotë të largohemi nga të gjitha grupet kandidate, ndërkohë edhe më kanë thënë për një kaset të shejh Albanit me titull “votimet” ku shprehet qart që nëse nuk je i detyruar nuk duhet të votosh, por nga ana tjetër kam dëgjuar edhe për fetva “fantazëm” tek të cilat nuk kam hasur personalisht ku lejohet pjesëmarrja në votime. I këtij mendimi janë dhe një pjesë e mirë e nxënësve të dijes në Shqipëri. Ju lutem që përgjigjja të mos neglizhoj këto pika:
a) Njohjen se ka prej fetvave që janë vetëm për një situat person specifik dhe jo për të tjerët, kështu që tek fetvatë që do sillen insha Allah të jemi të sigurt që janë për situatën tonë.
b) Njohjen dhe rikujtimin e asaj që na kanë lënë selefët se kur të pasojmë duhet të pasojmë pasi njohim argumentet e atij që po pasojmë (Ebu Hanife ka thënë: E ndaloj që dikush te vijë me fjalët e mia deri sa të dijë argumentet në të cilat janë bazuar ato fjalë) kjo për të evituar taklidin.
c) Nëse votimi lejohet, a çon ky akt në imitimin e jobesimtareve siç kanë thënë disa Ulema, e a nuk është kjo një formë Bidati?

***

Përgjigjja:

Në fakt, mospajtim në lidhje me votimet, nuk ka vetëm mes nxënësve të dijes në Shqipëri, por edhe në mesin e dijetarëve, megjithëse në shumë raste janë bashkuar për lejimin e pjesëmarrjes në to, dhe kjo ka qënë më shumë në vendet muslimane. Kurse për votimet në vendet jomuslimane, këtu ka mendime dhe opinione të ndryshme, të ndërtuara mbi përpjekjen e secilit për njohjen e gjykimit të saktë në lidhje me këtë çështje. Qëndrimi i shejh Albanit është i qartë në lidhje me këtë pikë, dhe ai e ka sqaruar këtë gjë në kasetën me nr. 344, nga vargu “Udhëzimi dhe Drita”, ku flet për zgjedhjet në Algjeri dhe i përgjigjet pyetjeve të disa vëllezërve algjerianë në lidhje me këtë. Shejh Albani thotë se ai ka dy qëndrime në lidhje me votimet: I pari: Nuk këshillojmë askënd prej muslimanëve, individë apo grupe, që të kandidojnë për deputetë. I dyti: Ne i themi të gjithë muslimanëve, në cdo vend që të jenë: Nëse qeveria në pushtet e detyron këtë sistem të votimeve, dhe anëtarët e partive apo ideve të ndryshme garojnë për të fituar numër sa më të madh deputetësh në këto votime… Mes kanditatëve ka muslimanë e jomuslimanë, të mirë e të këqinjë… dhe në këtë rast, votuesit muslimanë e kanë për detyrë që të votojnë për kandidatët muslimanë, të mirë, që punojnë për të drejtësinë dhe islamin. Por njëkohësisht themi se nuk e këshillojmë muslimanin që të kandidojë në këto zgjedhje, sepse kështu ai e fut vetën e vet në shkatërrim dhe aprovon kundërshtimin e sheriatit Islam me këtë gjë (pasi që do të zbatojë dhe aprovojë ligje të bëra nga njerëzit). Këtë mendim nuk mund t’ua imponojmë të tjerëve, por edhe sikur ai të jetë 100% i saktë, përsëri do të këtë njerëz të tjerë që mendojnë ndryshe, pa marrë parasysh nëse e kanë mirë apo jo, dhe nëse janë të aftë për të dhënë opinion apo jo. Ky është realiteti, dhe realiteti është gjithashtu se shumë prej muslimanëve të mirë dhe me qëllim të mirë, do të kandidojnë në këto zgjedhje parlamentare, dhe në këtë rast ne i themi muslimanëve votues që të zgjedhin dhe të votojnë këta kandidatë muslimanë të mirë dhe jo ata muslimanë të këqijë, as jomuslimanët prej komunistëve e të tjerë. Kjo e keqe (e votimit për këta kandidatë muslimanë të mirë) është më e vogël se sa të mbylleni në shtëpi dhe të mos merrni pjesë në zgjedhjen e kandidatëve tuaj.” Mbaroi fjala e shejh Albanit. Dëgjoni edhe fjalën e shejh Aliut, dhe çështja do të jetë e qartë inshaAllah, e ne cdo rast, kjo nuk duhet të cojë në përçarje dhe grindje mes nxënësve të dijes, por edhe nëse ata kanë mendime të ndryshme, secili të ndjekë atë mendim që mendon se është më i saktë, dhe të mos e luftojë vëllanë e tij që mendon të kundërtën. E Allahu është i Gjithëdijshmi, dhe vetëm Ai udhëzon në rrugën e drejtë.