A lejohet që gruaja t’i propozojë drejtpërdrejt një burri për martesë?

Origjina e lejueshmërisë:

Transmetohet në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) nga Enesi (radijAllahu anhu):

“Erdhi një grua te Pejgamberi ﷺ dhe ia ofroi veten për martesë.”

Ky rast ndodhi në prani të sahabëve, pa vetmi dhe pa fjalë emocionale, dhe shërben si bazë për lejueshmërinë e kësaj çështjeje në Islam.

Fjalët e dijetarëve për këtë çështje:

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në “Sherhu Sahih Muslim” (9/175) ka thënë:

“Ky hadith tregon lejueshmërinë që gruaja t’ia ofrojë veten për martesë një burri të ndershëm… por kjo duhet të bëhet me një shprehje të hijshme, që ruan edukatën dhe turpin.”

Ibn Haxher el-Askalani (Allahu e mëshiroftë) në “Fet’hul-Bari” (9/210) ka thënë :

“Ky hadith tregon lejueshmërinë që gruaja t’ia ofrojë veten burrit, por kjo duhet të ndodhë nëpërmjet kujdestarit (ueliut) ose ndërmjetësit, për të bashkuar edukatën me turpin.”

Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) “Lika’ el-Babu el-Meftuh”, kaseta 173, pyetja nr. 8 ka thënë:

“Gruaja mund t’ia ofrojë veten një burri të ndershëm nëpërmjet ueliut të saj ose një gruaje të besueshme. Nuk është e përshtatshme që ajo ta bëjë këtë drejtpërdrejt me fjalë emocionale apo në mënyra që cenojnë turpin.”

Shembulli i Hatixhes (radijAllahu anha):

Ajo nuk ia ofroi Profetit ﷺ veten në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dërgoi dikë që të fliste me të. Çështja u paraqit si një iniciativë tregtare dhe u trajtua me plot dinjitet dhe turp, ashtu siç i takon një gruaje të ndershme.

Rregullat dhe parimet e kësaj çështjeje:

✅ Lejueshmëria në parim është e pranuar, bazuar në hadithin e saktë.
✅ Mënyra më e përshtatshme është nëpërmjet kujdestarit (ueliut) ose një përfaqësuesi të besueshëm.
✅ Shprehjet duhet të jenë të hijshme, të përmbajtura dhe brenda kufijve të turpit.

❌ Kontakti i drejtpërdrejtë me fjalë emocionale apo që shprehin dashuri, nuk është pjesë e edukatës islame madje dhe as nga praktikat e selefëve.

Në përfundim, kjo çështje është e lejuar në Islam kur ruhet morali, turpi dhe ndërmjetësimi i duhur, duke shmangur çdo formë sjelljeje që bie ndesh me normat e sheriatit dhe etikes islame.

Përkthim
https://t.me/hoxheebubekrruli