Pyetja

Një shpjegim rreth këtij shkrimi që po e bëjnë tani kur po lidhin kurorë një çift: “Në emër të Allahut xh.sh dhe me lejen e Pejgamberit a.s japim vajzën tonë … për djalin tuaj…”

Mua nuk më duket në rregull kjo pjesë ku e kanë shkruar “me lejen e Pejgamberit alejhi selam”. A lejohet kjo apo jo?

Përgjigja:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.

Nuk lejohet të thuhet “me lejen e Pejgamberit ﷺ”, sepse martesa është një kontratë e ligjësuar nga Allahu, dhe Profeti ﷺ vetëm e shpjegoi këtë ligj. Pas vdekjes së tij, nuk kërkohet leja e tij; ne veprojmë sipas ligjit që ai solli dhe jo duke kërkuar aprovimin e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “إِنِ ٱلْحُكْمُ إِلَّا لِلَّهِ ۖ أَمَرَ أَلَّا تَعْبُدُوٓا۟ إِلَّآ إِيَّاهُ” “Vendimi (urdhri dhe ligji) nuk i takon askujt, përveç Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër përveç Atij.” (Jusuf, 40)

Ky ajet tregon qartë se ligjësimi dhe leja i takojnë vetëm Allahut, ndërsa Profeti ﷺ na ka mësuar mënyrën e drejtë për martesë.

Nëse dikush mendon se Profeti ﷺ ka pushtet pas vdekjes për të dhënë leje, ky është një gabim i madh në akide (shirk), edhe nëse kjo thënie thuhet nga zakoni apo si frazë e pavetëdijshme. Kjo duhet korrigjuar, sepse bart një kuptim të gabuar. Duhen këshilluar njerëzit që të mos e përdorin këtë shprehje dhe ta zëvendësojnë me shprehje të sakta, si p.sh.: “Me lejen e Allahut dhe sipas mësimeve të Pejgamberit ﷺ” ose “Sipas synetit të Pejgamberit ﷺ”.

Allahu e di më së miri!

Adelina Kuçana (https://t.me/AdelinaKucana)