Pyetja:

A lejohet shitja e gjësendeve që janë imitim (fallco) i firmave të njohura të prodhimit, fjala vjen shitja e orës së dorës e cila mban emrin e firmës së njohur të orëve “Rolex”, mirëpo në të vërtetë ajo është vetëm imitim i kësaj firme dhe shfrytëzim i emrit të saj, e nuk është origjinal. Shitja e orëve të tilla bëhet me çmim shumë më të ulët sesa çmimi i orës origjinal dhe klienti njoftohet që ora nuk është origjinal, por është vetëm imitim (fallco) i firmës “Rolex”, përderisa dihet se kjo firmë nuk jep leje për shitje të orëve imitim (fallco) me emër të saj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij ﷺ.

Fillimisht, është kërkesë fetare permanente që besimtari të jetë besnik në sjellje e vepra dhe të mos i mashtrojë të tjerët për asgjë, e as gjatë shitblerjes. Këtë, në saje të porosisë profetike “Kush na mashtron, nuk është prej nesh (nuk është në udhërimin tim).” [1]
Që nënkupton se në asnjë mënyrë besimtari nuk duhet të mashtrojë në shitblerje, në rastin konkret nuk lejohet të shesë gjësende të imituara (fallco) pa e treguar gjendjen reale të tyre.
Së dyti: Marka tregtare dhe emri tregtar (firma) konsiderohen pasuri kuptimore, njëjtë sikurse edhe pasuria lëndore (shtëpia, vetura, veglat e punës, e të ngjashme). Në kohën tonë, marka dhe emri tregtar konsiderohen artikuj që kanë vlerë reale, njëherit shiten dhe blihen nëpër tregje sikurse çdo artikull tjetër me vlerë. Andaj themeluesve dhe bartësve të tyre, fetarisht iu njihet e drejta ekskluzive e pronësimit të tyre dhe si të tilla, nuk lejohet shfrytëzimi i tyre pa lejen e pronarëve. Në lidhje me këtë, “Akademia e Jurispodencës Islame” me seli në qytetin Xhide të Arabisë Saudite ka nxjerrur vendimin se: “Marka tregtare, emri tregtar dhe adresa tregtare, janë të drejta dhe prona ekskluzive të themeluesve të tyre, ngase në zakonin e kohës sonë ato kanë marrë premisat e produktit real lëndor, të cilat shiten dhe blihen rëndom nga njerëzit, çka, kjo e drejtë ekskluzive u garantohet edhe në aspektin fetar, dhe nuk lejohet grabitja apo përvetësimi i tyre pa lejen e pronarëve”.

Së treti: shitja e orëve të tilla, të cilat bartin emrin e firmës së caktuar pa lejen e pronarit të saj, qoftë edhe përmes imitimit të saj, nuk lejohet, edhe nëse blerësit i tregohet se është imitim (fallco), ngase kjo do të konsiderohej shpërdorim, uzurpim dhe shfrytësim i pasurisë së tjetrit pa leje, edhe atëherë kur pronari i markës apo emrit tregtar është jomusliman. Allahu e di më së miri!

Hoxhë dr. Rasim Haxha

————————–

[1] Muslimi

Comments are closed.