Pyetja: A lejohet të shtyej namazin e drekës gjatë udhëtimit që ta fali bashkë me ikindinë pasi të arrij në qytetin tim, sepse kur arrijë unë vetëm se hyn koha e Ikindisë? Si duhet të falet në këtë rast?

Përgjigje:
Falenderimet tona janë për Allahun s.v.t. e përshëndetjet tona me salate dhe selame të panumërta janë për të Dërguarin e Tij s.a.v.s.

Bashkimi i dy namazeve është një lehtësim që Islami e ka legjitimuar për udhëtarët për shkak të vështirësive të udhëtimit, duke i lejuar ata që të bashkojnë dhe të shkurtojnë nga katër në dy rekate namazet e drekës dhe ikindisë, si dhe të akshamit dhe jacisë, në një nga dy kohët, përkatësisht në kohën e parë ose të dytë, sipas nevojës përkatëse.
Nëse një udhëtar shtyn namazin e drekës për ta bashkuar me ikindinë në kohën e saj kur arrin në qytetin e tij, kjo është e lejuar, pasi kushti për vlefshmërinë e bashkimit të namazit të drekës dhe ikindisë është që udhëtimi të zgjasë deri në hyrjen e kohës së ikindisë. Në këtë rast, ai është ende në udhëtim kur hyn koha e ikindisë, gjë që e bën bashkimin e namazeve të lejuar.
Ndërsa në lidhje me numrin e rekateve, tashmë ai ka arrit në vendin e tij, prandaj fal namazin e drekës me katër rekate dhe po ashtu namazin e ikindisë me katër rekate, pa shkurtim.
Shejh Ibn Uthejmini e përmbledh duke thënë se ajo që ka rëndësi është gjendja në të cilën ndodhet personi kur falet. Nëse namazi falet kur është rezident, falet i plotë; ndërsa nëse është ende udhëtar, falet i shkurtuar, pavarësisht nëse koha ka hyrë gjatë udhëtimit apo në qytet.
Valahu teala a’lem.

Burimi: pergjigje.net