Pyetja:

Një pyetëse thotë: Ne kemi një grup që i përket tarikatit Tixhani. Ata mblidhen çdo të xhuma ose të hënë dhe e përmendin Allahun me këtë dhikër: “La ilahe il-lAllah”, dhe në fund thonë: “Allah, Allah” me zë të lartë. Cila është dispozita e sheriatit për këtë veprim?

Përgjigja:

Tarikati Tixhani është një tarikat i shpikur dhe i devijuar, brenda të cilit gjenden lloje të kufrit që nuk lejohet të pasohen. Përkundrazi, duhet të braktiset dhe pasuesit e tij këshillohen ta lënë atë dhe t’i përmbahen rrugës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të).

Kjo është rruga e ndjekur nga shokët e Pejgamberit, të cilët e mësuan atë drejtpërdrejt prej tij. Po ashtu, kjo është rruga që kanë ndjekur imamët e mëdhenj të Islamit si Imam Maliku, Shafiu, Imam Ebu Hanife, Ahmedi, Euzaiu, Ishak b. Rahavejhi, Theuriu dhe dijetarët e tjerë të Ehli Sunetit dhe Xhematit. Kjo rrugë përfshin njësimin e Allahut dhe adhurimin e Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit dhe kryerjen e Haxhit, si dhe nënshtrimin ndaj urdhrave të Muhamedit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe largimin nga gjërat e ndaluara.

Tarikatet sufi (dervishët) duhet të braktisen, përveç rasteve kur ndonjë veprim i tyre është në përputhje me sheriatin. Nëse një praktikë përputhet me mësimet e Islamit, ajo pranohet jo për shkak të tarikatit, por sepse vetë feja e ka urdhëruar. Megjithatë, veprimet e shpikura nga sufizmi, si tubimet për dhikër me fjalët “Allah, Allah” apo “Hu, Hu”, janë bidate (risi) pa bazë në fenë islame.

Ajo që është e lejuar dhe e transmetuar nga i Dërguari i Allahut është të thuhet:

  • La ilahe il-lAllah

  • SubhanAllah, uel hamdulil-lah, ue la ilahe il-lAllahu uAllahu Ekber

Ndërsa përsëritja e fjalëve si “Hu, Hu” ose “Allah, Allah” në mënyrën që e praktikojnë disa tarikate është një bidat i pajustifikueshëm.

Këshilla për pyetësen:

Të këshilloj të mos marrësh pjesë në tubimet e tyre dhe të mos jesh pjesë e tyre. Përmendja e Allahut duhet të bëhet sipas mësimeve të Pejgamberit, siç është dhikri i njohur që mund të bëhet në çdo vend, si në shtëpi, xhami, rrugë apo gjatë punës.

Dhikri i saktë përfshin edhe:

  • “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh. Lehul mulku ue lehul hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir.”

  • “SubhanAllah, uel hamdulil-lah, ue la ilahe il-lAllahu uAllahu Ekber.”

  • “La haule ue la kuvvete il-la bil-lah.”

  • “SubhanAllahi ue bihamdihi, SubhanAllahil-Adhim.”

Përmendja e Allahut nuk ka ndonjë kufizim, por duhet të bëhet ashtu siç është transmetuar nga i Dërguari i Allahut. Nuk lejohet të thuhet “Allah, Allah” ose “Hu, Hu” në mënyrën e dervishëve, e as të tubohen duke kërcyer e duke i rënë tupanëve, pasi të gjitha këto janë veprime të ndaluara dhe mëkate.

/Shejh Bin Bazi/