Pyetja:

A lejohet të festohet ditëlindja e Muhamedit ﷺ (mevludi)?

***

Përgjigja:

Së pari: Dita e lindjes së Pejgamberit ﷺ nuk është e ditur dhe njohur në mënyrë të prerë e të saktë.

Disa dijetarë bashkëkohorë janë të mendimit se ajo është dita e nëntë e muajit Rebiul Evel, e jo e dymbëdhjeta siç është e njohur në mesin e muslimanëve. Duke u nisur nga kjo, themi se festimi i kësaj feste në ditën e dymbëdhjetë nuk ka asnjë dëshmi dhe mbështetje nga aspekti historik.

Së dyti: Sa i përket aspektit islam, gjithashtu kjo festë nuk ka asnjë bazë, sepse sikur kjo të ishte prej rregullave dhe obligimeve islame, atëherë këtë do ta vepronte edhe vetë Pejgamberi ﷺ, ose do t’ua kishte komunikuar një gjë të tillë shokëve dhe umetit të tij, e këtë do ta kishte vepruar edhe vetë ai.

D.m.th., sikur ta praktikonte këtë Muhamedi ﷺ, atëherë kjo do të ishte e obliguar që të jetë e ruajtur në përputhshmëri me Fjalën e Allahut të Madhëruar i Cili thotë: “Ne, me të vërtetë, kemi shpallur Kuranin dhe, Ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).” (Hixhr: 9)

Atëherë, kur ne nuk posedojmë ndonjë argument themi se kjo festë nuk është prej fesë së Allahut të Madhëruar.

Dhe, nëse kjo nuk është prej fesë së Allahut, neve nuk na lejohet në asnjë mënyrë që më këtë ta adhurojmë Allahun, ose me veprimin e saj të afrohemi tek Ai.

Allahu i Lavdëruar ka caktuar rrugë të veçantë për të arritur tek Ai – dhe ajo rrugë është me çfarë ka ardhur Pejgamberi ﷺ. E, si na lejohet neve që të vijmë me një rrugë të menduar dhe formuar nga vetja jonë, gjoja kjo na afron tek Allahu?

Dijeni se kjo është krim në hakun ndaj Allahut, që të shtojmë në Fenë e Tij diçka që s’është prej saj, siç përmban kjo edhe përgënjeshtrim të fjalës së Allahut, i Cili thotë: “Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që Islami të jetë fé e juaja.” (Maide: 3)

Atëherë, ne themi: Kjo festë nëse është prej plotësimit të fesë ashtu siç mendojnë disa muslimanë, patjetër do të ishte e njohur dhe vepruar para vdekjes së Pejgamberit ﷺ. E, nëse ajo nuk është prej plotësimit të fesë, atëherë kjo nuk ka mundësi që të jetë pjesë përbërëse ose plotësuese e fesë. Ngase Allahu thotë: “Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që Islami të jetë fé e juaja.” (Maide: 3)

Ai, i cili pretendon se kjo është prej plotësimit të fesë, së pari, ka shpikur diçka të re pas Pejgamberit ﷺ, si dhe fjala dhe pretendimi i tij bie ndesh me fjalën e Allahut të Lavdëruar.

Nuk ka dyshim se ata të cilët festojnë ditëlindjen e Pejgamberit ﷺ me këtë dëshirojnë:

1: Lavdërimin e Pejgamberit ﷺ
2: Shfaqjen e dashurisë ndaj tij.
3: Përmallimi për Muhamedin ﷺ; me të gjitha këto veprime ata mendojnë se po bëjnë adhurime dhe se po afrohen tek Allahu i Madhëruar.

Duhet ta nënvizojmë se dashuria ndaj Pejgamberit ﷺ është ibadet dhe nuk plotësohet imani derisa të jetë Pejgamberi ﷺ më i dashur tek njeriu se sa vetja e tij, fëmija i tij, prindi tij dhe njerëzit në përgjithësi.

Njashtu, lavdërimi i Pejgamberit ﷺ është ibadet, ngjashëm edhe përmallimet dhe mallëngjimet për Pejgamberin ﷺ janë pjesë përbërëse të fesë, ngase në këtë ka anim nga suneti i tij.

Por, edhe pse lavdërimi, përmallimi e mallëngjimi për Pejgamberin ﷺ është ibadet, festimi i ditëlindjes së tij ﷺ është shpikje në fenë e Allahut dhe përbën ndalesë.

Më tej, ne dëgjojmë se në këtë festim ka gjëra të ndaluara, të cilat nuk i pranon as Sheriati, as ndjenja e as mendja e njeriut.

Pjesëmarrësit e zakonshëm këndojnë disa vjersha në të cilat ka teprim në lavdërim dhe ngritjen e Pejgamberit ﷺ, aq sa atë e bëjnë më madhështor se Allahun e Lartëmadhëruar. Prej këtyre gjërave të ndaluara është kur lexuesi lexon tregimin mbi Pejgamberin ﷺ dhe kur arrin tek fjala: “Leu Sulltani Dinit islam në atë zaman, tokë e qiell u mbushën me nurë gjithë sa janë”.
Me këtë rast, ngritën të gjithë në këmbë sikur të ishin një person, e thonë: “prezenton shpirti i Pejgamberit ﷺ e ne ngrihemi madhërim dhe lavdërim për të” – e kjo është injorancë e qartë. Nuk është prej edukatës islame që të ngritën ata në këmbë ngase vetë Pejgamberi ﷺ ka urryer një gjë të tillë e edhe shokët e tij, të cilët padyshim janë vetë ata që më së shumti e kanë dashur Pejgamberin ﷺ dhe më shumë e kanë lavdëruar atë se sa ne.

O vëllezër! Sahabët nuk janë ngritur për të ngase kanë parë në këtë urrejtjen e tij për këtë veprim. Pra, e gjithë kjo ka ndodhur sa ishte ai gjallë! E si atëherë njerëzit vazhdojnë me këto iluzione dhe teke të ndryshme të tyre?

Allahu është më i Dituri.

Shejh Ibn Uthejmini

Përktheu: Suad Shabani