Pyetja:

A lejohet të jepen të holla në vend të ushqimit për zekatin e fitrit?

***

Përgjigjja:

Dhënia e zekatit të fitrit në të holla, apo ta quajmë më mirë në vlerë të ushqimit, sepse vlera mund të jetë edhe në para e gatshme, edhe në diç tjetër, është çështje për të cilën ka mospajtime mes dijetarëve të hershëm. Shkurtimisht, aq sa kam hasur në burime e literaturë, në këtë çështje ka katër mendime:
1. Nuk lejohet. Këtë mendim mbrojnë tri medhhebet: maliki, shafi dhe hanbeli; nga bashkëkohorët: shejh Albani, Ibn Bazi, Ibn Uthejmini, Komisioni i Përhershëm për Fetva e shumë të tjerë.
2. Lejohet. Ky është mendimi i medhhebit hanefi dhe i këtyre imamëve: Sufjan eth Thevriut, Jahja ibn Meinit, e para tyre: Hasan el Basriut. Këtë e praktikonte kalifi i drejtë, Omer ibn Abdulazizi. Po ashtu, Ebu Is’hak es Sebiiju tregon se, në kohën e tij, sipas këtij mendimi punonin në Kufe (Irak) etj. Ndërkaq, bashkëkohorët që mendojnë kësisoj janë: shejh Ahmed ibn Muhamed el Gimari në librin e tij “Tahkikul Amal fi ihraxh zekatil fitr bil mal” e shumë të tjerë. Në përputhje me këtë mendim punohet në shumicën e vendeve sot.
3. Lejohet vetëm në raste domosdoshmërie apo nevoje. Këtë mendim përkrahin: Ebu Theuriu dhe Is’hak ibn Rahavejhi, ndërsa nga të mëvonshmit Ibn Tejmije në njërin mendim të tij. (Shih: Hashijetu Ravdul Murbi, 3/206)
4. Kjo është e papëlqyer (mekruh). Këtë mendim kishte Ata ibn Ebi Rabah, siç shënon Ibn Ebi Shejbe në El Musanef. Këto janë mendimet përkitazi me këtë çështje, kurse sjellja e argumenteve dhe diskutimi i tyre zë vend, porse lusim Allahun të na lehtësojë një gjë të tillë në ndonjë publikim (punim) tjetër!
Në mbyllje të kësaj çështjeje mund të themi se, kjo është një nga çështjet në të cilat dijetarët e hershëm kanë bërë përpjekje (ixhtihad), andaj nuk është e udhës të kritikohet nëse dikush e zgjedh njërin mendim dhe lë tjetrin. Kjo, se secilin mendim që merr dhe punon me cilindo prej tyre, ka pasuar dikë prej selefëve dhe imamëve të këtij umeti, edhe pse, në raste të tilla, më mirë është të praktikohet Suneti dhe të iket nga mospajtimi, në mënyrë që të jepet ushqim prej ushqimeve të njohura në vend, gjë kjo përmes së cilës i ikën mospajtimit, sepse, nëse jep ushqim, atëherë me këtë janë pajtuar të gjithë dijetarët muslimanë të të gjitha medhhebeve.
Imam Ebu Bekër el Ameshi, dijetar i hershëm hanefi (Allahu e mëshiroftë), duke folur se a është më mirë të jepet vlera (para) apo ushqim, ka thënë: “Të jepet gruri është më mirë sesa të jepet vlera e tij (në të holla), sepse kjo është më afër pasimit (të urdhrit profetik) dhe më larg kundërthënieve (mospajtimeve) të dijetarëve.” (Shih: El Mebsut, 3/107)
Lus Allahun të na i pranojë adhurimet tona dhe të na mundësojë t’i kryejmë ato në formën më të mirë! Amin!

Agron Krasniqi, “Dispozitat e Zekatit të Fitrit”