Pyetja:
Unë mbaj një Kuran te vogël me vete dhe mbaj gjithashtu edhe simbole (fetare) në qafë. A bëj gabim në këtë?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Allahu ju shpërbleftë për dashurinë që keni për Kuranin dhe simbolet e Allahut të Lartmadhëruar, sepse Ai ka thënë: “Kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Haxh: 32)
Më konkretisht, lidhur me mbajtjen e Kuranit të vogël, thuhet sa vijon:
Së pari: kur ky Kuran është fare i vogël, shkrimi i tij është i palexueshëm dhe nuk i përket një botimi të besueshëm me vulë dhe konfirmim të dijetarëve, ai nuk duhet të mbahet;
Së dyti: nëse ky Kuran i vogël mund të lexohet dhe i përket një botimi të besueshëm me vulë dhe konfirmim të dijetarëve, mbajtja e tij në trup për ta lexuar nuk ka problem, por duhet të bëhet kujdes me zbatimin e rregullave të mbajtjes së Kuranit.
Ndërsa nëse ai mbahet në trup për bereqet, ky rast hyn tek kapitulli i dispozitave të varjes së nuskave me Kuran dhe në lidhje me këtë gjë dijetarët ndajnë mendime të ndryshme, ku mendimi më parësor është se e tillë gjë është e ndaluar për t’ia prerë rrugën abuzimit ku mund të bihet, sidomos në ditët tona kur janë shtuar shumë devijimet dhe deformimet në fe.
– Kurse në lidhje me varëset e qafës me simbole fetare, thuhet sa vijon:
Së pari: çdo ekzemplar (send) i varur në qafë që mbahet për bereqet, sipas dijetarëve që e lejojnë të tillë gjë, duhet të plotësojë dy kushte:
Kushti i parë: të ketë argument islam se ky ekzemplar bën të mbahet për bereqet;
Kushti i dytë: mbajtësi i tij të besojë pa pikë dyshimi se Ai që e jep bekimin dhe dobinë është vetëm Allahu dhe se këta ekzemplarë Allahu i ka bërë vetëm shkaqe të cilët nuk kanë efekt në vetvete por funksionojnë vetëm me caktimin e Allahut të Madhëruar, në një formë të tillë që Allahu i Lartmadhëruar ose e realizon aty për aty bekimin, ose e vonon atë për një urtësi hyjnore të caktuar të Tij.
Së dyti: normat juridike islame i ndalojnë burrat (meshkujt) që të varin sende zbukurimi në qafë (si varëset), në vesh (si vathët) apo në kyçin e dorës (si byzylykët), pasi e tillë gjë konsiderohet përngjasim me femrat.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi