Përgjigja:

Juristët muslimanë kanë mospërputhje mendimesh mbi dispozitën e përcjelljes (kortezhit) për në varreza të xhenazes (trupit të pajetë) të jomuslimanit dhe më konkretisht, dy mendimet kryesore1 lidhur me këtë çështje janë:

 

Fillimisht, lidhur me përcjelljen e trupit të pajetë të jomuslimanit për në varreza, nuk është se ka ndonjë argument kategorik, porse argumenti kategorik (për të cilin ka konsensus mes juristëve muslimanë) ka ardhur për të mos i falur të këtillit namaz xhenazeje dhe për të mos bërë lutje në dobi të tij.2

 

Mendimi i parë: Lejohet përcjellja/shoqërimi i xhenazes së jomuslimanit

Janë disa juristët muslimanë (përfshirë transmetimet nga Ebu Hanifja, medh’hebi shafi’i etj.) që e lejojnë përcjelljen e xhenazes së të vdekurit jomusliman dhe mendimi parësor është se kjo është e lejuar, sidomos kur i vdekuri jomusliman është prej të afërmve (disa dijetarë kanë bashkëngjitur këtu edhe bashkëshorten dhe fqinjin) dhe përcjellja bëhet për mirësjellje e njerëzillëk.

 

Këta dijetarë janë argumentuar se përcjellja e xhenazes së jomuslimanit është prej veprimeve të selefëve (tre gjeneratave të para të dijetarëve muslimanë) prej sahabëve (shokëve të Profetit) dhe tabi’inëve (gjenerata pas sahabëve), ku në disa transmetime ka ardhur se një numër sahabësh kanë përcjellë xhenazen e të krishteres Umu El-Harith ibn Ebi Rabi’a.

 

Mendimi i dytë: Nuk lejohet përcjellja/shoqërimi i xhenazes së jomuslimanit

Shumica e juristëve muslimanë (përfshirë medh’hebin maliki, hanbeli etj.) e kanë ndaluar3 përcjelljen e xhenazes së jomuslimanit dhe pjesëmarrjen në varrimin e tij dhe thonë se kjo i lihet ta bëjnë atyre që i takojnë fesë së tij.

 

Këta dijetarë argumentohen se përcjellja e xhenazes së jomuslimanit është ngjashëm si falja atij namaz xhenazeje (që siç dihet është ndaluar me tekst kuranor), pasi përmes kësaj përcjellje tregohet madhërim/nderim dhe dëlirësim për këtë të vdekur.

 

Së dyti: Përcjellja e xhenazes/vizita e varrezave për gruan4

 

Fillimisht duhet theksuar se dijetarët muslimanë përmendin se në studimin e dispozitës së kësaj çështje nuk përbën asnjë dallim fakti nëse gruaja është me të përmuajshme/lehone, ose është e pastër prej kësaj.

 

Mendimi parësor (që përbën mendimin e shumicës së juristëve muslimanë) është se për gruan është mekruh5 (e papëlqyeshmë) që të përcjellë xhenazen dhe prezantojë varrosjen e të vdekurit, teksa një grup dijetarësh janë të mendimit se një gjë e tillë është e lejuar dhe një grup tjetër se kjo është e ndaluar (haram6).

Ndërsa sa i përket vizitës së varrezave, shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se asaj (gruas) i lejohet pa problem që të vizitojë varrezat, nëse përgjatë kësaj nuk bie në ndonjë vërejtje sheriatike.

Së treti: Ngushëllimi i jomuslimanëve për vdekjen e familjarit të tyre jomusliman7

Juristët muslimanë kanë mospërputhje mendimesh mbi ngushëllimin e jomuslimanëve për vdekjen e familjarit të tyre jomusliman dhe mendimi më parësor është se kjo lejohet, sidomos nëse kihen parasysh dy gjërat në vijim:

Gjëja e parë: Ky ngushëllim të bëhet për një interes sheriatik (ligjor islam), si: ftesa në Islam, evitimi i dëmit që vjen nëse nuk bëhet ky ngushëllim etj.;

Gjëja e dytë: Të qëndrohet larg fjalëve ngushëlluese që bien në kundërshtim me udhëzimet sheriatike/ligjore islame (të mos bihet në vërejtje sheriatike); pra duhet që në këtë rast të mos bëhet për të vdekurin jomusliman lutje për mëshirë, falje, hyrje në Xhenet etj., siç bëhet për të vdekurin musliman, ku prej fjalëve ngushëlluese lejuese që përmendin dijetarët muslimanë janë: “Allahu ju lëntë juve/të tjerët… Ngushëllimet e mia… Mbetsh me të mira… Kryeshëndoshë…” dhe ngjashëm nga fjalët me përmbajtje të mirë të kësaj natyre.

 

Mendimi i lejimit të ngushëllimit të jomuslimanëve për të vdekurin e tyre jomusliman (dhe po kështu për vizitën e jomuslimanit), është mbështetur në transmetimin8 ku vjen se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) vizitoi të riun hebre në sëmundjen e tij të vdekjes në shtëpinë e familjarëve të tij dhe e ftoi te Allahu (ku siç dihet nga transmetimi profetik referent, ky i ri e pranoi fenë islame pak para se të vdiste).

 

  1. Shih: islamwebislamweb dhe islamweb.
  2. Shih: islamweb.
  3. Disa dijetarë të tjerë muslimanë janë të mendimit se përcjellja e xhenazes së të vdekurit jomusliman konsiderohet veprim mekruh (veprim i papëlqyeshëm, lënia e të cilit shpërblehet dhe bërja e tij nuk ndëshkohet).
  4. Shih: islamwebislamweb dhe islamweb.
  5. Mekruh: Mekruh: Veprim lënia e të cilit shpërblehet dhe kryerja e tij nuk ndëshkohet.
  6. Haram: Veprim i paligjshëm/i ndëshkueshëm, që bie në kundërshtim me normat juridike islame.
  7. Shih: islamweb dhe islamweb.
  8. Shih: Sahihu El-Bukhari.