Pyertja:

Jam një motër, një nënë që jetoj jashtë shtetit, në Austri. Kemi një lokal-restorant, mirëpo shesim edhe pije alkoolike për shkak se vendi ku jetojmë është i tillë. A është haram?

***

Përgjigjja:

Sikur që nuk lejohet konsumimi i pijeve alkoolike, po ashtu nuk lejohet edhe shitja e tyre, qoftë si biznes i veçantë me pije alkoolike apo edhe si pjesë e ndonjë biznesi që përmban edhe pije alkoolike, siç është rasti i juaj. Pijet alkoolike jo vetëm që nuk guxojmë t’ia shesim muslimanëve, por kjo gjë është e ndaluar edhe atëherë kur ia shesim jomuslimanëve. Pra thjesht, nuk lejohet të fitohet nga pijet alkoolike në asnjë formë, pasi pijet alkoolike në Sheriat konsiderohen mall i ndytë dhe si i tillë nuk është i vlefshëm për të nxjerrë përfitime nga mallra të tilla.

Nga ana tjetër, edhe vendi ku ju jetoni nuk imponon në asnjë mënyrë që të mbani medoemos pije alkoolike në restorantin tuaj, por kjo është çështje që i kthehet bindjes suaj. Kudo në Austri ka restorante e lokale të ushqimeve që fare nuk posedojnë pije alkoolike (si p.sh. “Lami”) dhe njihen për shitje të mirë, që do të thotë se mungesa e pijeve alkoolike në ato lokale e restorante nuk shkakton mospunën e as mbylljen e tyre.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku