Pyetja:

A lejohet varja e Kuranit në mur, n.q.f  jo, pse?

***

Përgjigjja:

Falënderimet janë për Allahun, Krijuesin e çdo gjëje, mirësitë dhe begatitë e tij, qofshin mbi Profetin ﷺ dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Pa dyshim që Kurani Famëlartë është fjala e Allahut që e ka zbritur nëpërmjet melekut Xhebrail a.s tek i dërguari i Tij i fundit Muhamedi ﷺ, dhe për ne muslimanët është libri më i shenjte që kemi, dhe Allahu e ka zbritur Kuranin shërues për gjokset tona dhe udhëzues për këdo që kërkon udhëzim të drejtë dhe të pranuar tek Allahu. Kush e nderon dhe respekton Kuranin, Allahu do ta ngrejë atë në grada të larta.

Sot është bërë zakon që në vendet tona, dhe shume vende te tjera islame, ta vendosin Kuranin nëpër vende të ndryshme që të duket, dhe disa e vendosin për ta respektuar këtë libër hyjnor e disa për mbarësi e bereqet, dhe shumë të tjerë që të mbrohen nga të keqijat, dhe që të gjitha këto janë bidate (diçka që nuk ka asnjë bazë në fe, nuk e ka bërë Profeti ﷺ, e as shokët e tij).

Fatkeqësisht sot në vendet tona e gjen Kuranin nëpër bufe (dollapët e enëve, nëpër kuzhinat e shtëpive) dhe në krah të tij shishja e rakisë apo shampanjës apo konjakut e pije të tjera që janë haram, apo i rrethuar me fotografi fëmijësh burrash, grash, artistësh, futbollistësh, shehlerësh etj. si këto, dhe çfarë respekti po i bëjnë këtij Libri të Shenjtë? Apo e vendosin nëpër makina e nën kokë, apo fusin nëpër faqet e tij fotot e të afërmeve të tyre, dhe që të gjitha këto janë të ndaluara dhe nuk lejohet që të veprohet në këte mënyrë me Kuranin. Respekti i këtij libri bëhet duke e lexuar, kuptuar dhe zbatuar atë që është shkruar në të. Ky është qëllimi i zbritjes së tij, e jo vendosja në një qoshe të shtëpisë e ta mbulojë pluhuri dhe të mos dimë ç’ka në të, por që ta lexojmë dhe të kuptojmë se për çfarë na urdhëron e ndalon Zoti ynë Famëlartë, kush është hallall e kush është haram, çfarë e gëzon e çfarë e hidhëron Allahun. Duke lexuar Kuranin kuptojmë se kush ka qenë shkaku i shkatërrimit të shumë popujve para nesh dhe kush ka qenë shkaku i lumturisë e triumfit të shumë popujve të tjerë qe i janë bindur Allahut, që të veprojmë si besimtarët e përmendur në Kuran e të marrim bekimet e të mirat e Allahut, e jo si jobesimtarët që të marrim dënimin e Tij.

Për ta sqaruar më mirë pyetjen tende, po të përkthej një fetva qe e ka dhënë dijetari i njohur shejh Ibn Uthejmin:

E kanë pyetur shejhun: A lejohet varja e Kuranit apo disa ajeteve të tij nëper muret e shtëpisë.

Shejhu e ka pyetur pyetësin:Për çfarë arsye duhet t’i varim apo ngjisim Ajetet e Kuranit në mur?

Pyetës: Per zbukurim.

Shejhu: Nëse e vendos për zbukurim atëherë ka marrë ajetet e Allahut si tallje. Si ka mundësi që Kuranin Fisnik e të Madhërueshëm, që ka zbritur shërues për gjokset tona dhe udhëzues e këshillë ta bëjë mjet zbukurimi nëpër mure?

Pyetesi: Ndoshta për mbarësi (bereqet).

Shejhu: A na është përcjellë ne diçka e tille nga të parët tanë në fe? (sahabët, tabiinët) kanë pas kërkuar bereqet me kësi punësh? (duke varur Ajete kuranore nëpër mure)?

Përgjigja është: Jo, nuk ka ndonjë transmetim dhe ne jemi pasues të tyre, na mjafton neve ajo që u ka mjaftuar atyre (që kanë bërë ata). Atëherë, më thuaj ndonjë justifikim tjetër!

Pyetësi: Për përkujtim (përkujtim të Allahut).

Shejhu: A përkujtojnë gjë dhe a lexojnë gjë këta njerëz që ulen në këto vende se shikojnë këto ajete të varura? Përgjigja është: jo, përveç shumë pak prej tyre nëse ka.  Më jep një justifikim tjetër!

Pyetesi: Ndoshta për të përzënë xhindët.

Shejhu: A ka ndonjë transmetim që të parët tanë (sahabët e tabiinët) u mbronin nga xhindët në këtë mënyrë?

Pyetesi: Jo, hoxhë i nderuar, jo nuk ka asnjë argument për këtë.

Shejhu: Atëherë si i janë fshehur këto gjëra të parëve tanë dhe na janë zbuluar neve sot? Ç’është realiteti, fjala më e pakët që mund të themi për këtë është se kjo punë (varja e ajeteve të Kuranit nëpër mure…) është BIDAT.

Dhe gjithashtu mund ta quajmë edhe një lloj nënvlerësimi për Kuranin, ku në mur p.sh.: është varur (shkruar) Ajeti “Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! (Huxhurat: 12) dhe e gjejmë të njëjtin kuvend (mexhlis) që në bisedat e tyre janë të mbushura me përgojime e spiunllëk për njeri-tjetrin, a nuk është kjo tallje me Kuranin?

Dhe për këtë arsye këshilloni çdo njeri që e gjeni se ka varur nëpër mure ajete kuranore, qofshin ata të shkruara direkt në mur apo me pllakata (korniza) apo me ndonjë formë tjetër si këto, thuaj vëllait tënd që Fjala e Allahut nuk ka zbritur për këtë qëllim.

(Fetvanë e ka dhënë në takimet me dyer të hapura që ka mbajtur çdo të enjte 197/25)

Kurani nuk është zbritur për t’u varur nëpër mure po për t’u lexuar, se Profeti ﷺ ka thënë: “Shejtani ikën (arratiset) nga ajo shtëpi që dëgjohet (lexohet) në të surja Bekare (surja e dytë nga Kurani) dhe nuk ka thënë që ikën po të varet në mur surja Bekare. Pra më mirë për muslimanin është të largohet nga këto gjëra dhe shumë e shumë bidate të tjera që janë përhapur sot nëpër vendet tona dhe të mos ndjekë këtë e atë person pa u siguruar që a bën kjo punë apo jo nga ana fetare, se pa dashje, në vend që të marrë shpërblime merr gjynahe se po bëmë një bidat do lemë një sunet, dhe gjeja më e dashur për armikun tonë shejtanin (Allahu e shkatërroftë e na mbrojttë nga ai) është që të na fusë në sa më shumë qorrsokakë e bidate që të largohemi nga feja jonë e pastër.

Allahu ta shpërbleftë për interesimin motër dhe Paqja Allahut qoftë mbi ju e të gjithë muslimanët kudo qofshin Amin.

Allahu e di më së miri dhe paqja e tij qoftë mbi të dashurin tonë Muhamedin ﷺ!

Vëllai juaj Murat Basha