Pyetja:
Sot, në një prej ditëve të agjërimit tim të Ramazanit, jam zgjuar në ora 13:40, rreth 10 minuta pas hyrjes së kohës së namazit të drekës. A më pranohet kjo ditë e agjërimit apo jo?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Nëse agjëruesi, në natën e mëparshme (në ditën paraprake, nga koha e akshamit, deri në ditën e ardhshme para agimit), e ka pasur nijetin (qëllimin) që të agjërojë, në këtë rast agjërimi i tij është në rregull edhe nëse ai ka qenë në gjumë nga koha e hyrjes së agjërimit dhe deri në drekë (siç vjen në pyetje).
Për më tepër, juristët muslimanë kanë përmendur se, nëse personi e bën qëllimin për të agjëruar para hyrjes së ditës së agjërimit dhe e zë gjumi i thellë nga koha e hyrjes së agjërimit (agimi) deri pas hyrjes së kohës së mbarimit të agjërimit (në aksham), sërish agjërimi i tij është i vlefshëm, sidomos nëse ai zgjohet qoftë edhe për një kohë të shkurtër para se të ketë perënduar dielli (para se të ketë mbaruar dita e agjërimit).
Kurse në mënyrë më të zgjeruar lidhur me këtë çështje, juristët muslimanë kanë përmendur sa vijon:
Së pari: Agjërimi i kujt zgjohet për një moment të ditës së agjërimit
Juristët muslimanë janë që të gjithë (konsensualisht) të mendimit se nëse personi agjërues (i cili e ka pas bërë nijetin / qëllimin e agjërimit natën, para se të hynte dita e agjërimit)) zgjohet qoftë edhe për një moment të ditës së agjërimit në Ramazan dhe pas kësaj fle gjatë gjithë pjesës tjetër të ditës, agjërimi i të këtillit është i vlefshëm (i rregullt).
Së dyti: Agjërimi i kujt fle gjatë gjithë ditës së agjërimit
Agjërimi i personit që fle gjatë gjithë ditës së agjërimit në Ramazan, është i vlefshëm, bazuar në mendimin e katër medh’hebeve juridike më të shquara islame (medh’hebet hanefi, maliki, shafi’i dhe hanbeli) dhe pikërisht në lidhje me këtë çështje, imam En-Neueui ka thënë: “Nëse personi ka qenë në gjumë gjatë gjithë ditës dhe e ka pas bërë nijetin (qëllimin) për të agjëruar natën (para hyrjes së ditës së agjërimit), agjërimi i tij është i rregullt sipas medh’hebit tonë (medh’hebit shafi’i) dhe po këtë mendim kanë shprehur edhe shumica dërrmuese e juristëve mulsimanë…”
Së treti: Dispozita e gjumit të shumtë gjatë agjërimit
Edhe pse mes agjërimit ditor dhe gjumit të shumtë apo të paktë gjatë tij nuk ka asnjë lidhje, juristët muslimanë e kanë konsideruar të papëlqyeshëm (mekruh) gjumin e tepërt në ditën e Ramazanit, pasi për shkak të tij njeriu humbet kryerjen e sa e sa veprave të mira (adhurimeve).
Alaudin Abazi