Pyetja:

A konsiderohet afër për të shkuar për t’u falur në të, xhamia që gjendet rreth 2.5 km larg shtëpisë së personit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Dispozita e faljes së namazit farz me xhemat në xhami (për burrat), bazohet në faktin nëse xhamia gjendet në një distancë të afërt me dëgjuesin e ezanit, të atillë që ezani i kësaj xhamie të mund të dëgjohet kur bëhet në gjendje normale (pa erë, zhurma dhe ngjashëm prej penguesve të dëgjimit) dhe me një zë të ngritur si normalisht prej muezinit (pa përdorimin e altoparlantëve / zmadhuesve të zërit).

Më konkretisht, mendimi bazë i juristëve muslimanë është se një xhami konsiderohet e afërt kur ajo gjendet në një distancë të tillë nga ku mund të dëgjohet normalisht ezani dhe se kjo distancë në kilometra është rreth 2 – 3 km ecje normale në këmbë, kurse në minuta është 5 – 10 minuta ecje normale në këmbë; teksa në mënyrë më të detajuar në lidhje me këtë çështje thuhet sa vijon:

Së pari: Distanca që një xhami të konsiderohet e afërt

Në literaturat e juristëve muslimanë vjen se xhamia përcaktohet si e afërt varësisht dëgjimit të ezanit që muezini e bën me zë të lartë (pa altoparlant) mbi një vend të lartë2. Disa juristë muslimanë distancën nga ku mund të dëgjohet normalisht ezani e kanë përcaktuar me një fersekh3, pra afërsisht 4.8 km.

Dijetari i shquar Muhamed Ibn Muhamed El-Mukhtar Esh-Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në kohë të qetë [distanca e xhamisë së afërt] është 2 – 2.5 km, siç shprehen disa prej dijetarëve tanë (Allahu i mëshiroftë!). Nga kjo distancë, që për t’u rezervuar vlen të bëhet 3 km, personi duhet t’i përgjigjet [ezanit të] xhamisë [pra të vjen të falet në xhami me xhemat], ndërsa mbi këtë nuk e ka detyrim t’i përgjigjet.”

Së dyti: Koha e ecjes për në xhami, që ajo të konsiderohet e afërt

Prej mendimeve të juristëve muslimanë është se në aspektin kohor xhamia konsiderohet afër nëse personi e ka atë aq pranë sa pasi ta dëgjojë ezanin: të ngrihet të merr abdes, të fal sunetet sistematike në shtëpi, të vijë me hapa normalë në xhami dhe të arrijë ta kap faljen e namazit me xhemat në të2.

Dijetari bashkëkohor AbduRahman AbdulKhalik El-Jusuf thotë: “Konsiderata [gjykimi për një xhami që të konsiderohet e afërt] qëndron në afërsinë (e personit) me xhaminë, të cilën disa dijetarë muslimanë e kanë vlerësuar ashtu që pasi muezini e bën ezanin, personi të mundet të marrë abdes dhe të arrijë në këmbë në xhami [brenda kohës së faljes së namazit me xhemat], kjo (xhami) konsiderohet afër; pra nëse mes personit dhe xhamisë ka për shembull një distancë prej pesë ose dhjetë minutash ecje në këmbë, kjo konsiderohet afër [që të shkohet në xhami për ta falur namazin farz].”

Allahu e di më mirë.

Bashkim Aliu