Pyetje:
Dua t’ia heq pelenat fëmijës tim që ta mësoj të kryejë nevojën në tualet, por e di se shpesh do të urinojë apo kryejë nevojën në dysheme. E di që mënyra më e mirë për pastrimin e papastërtisë është përdorimi i ujit, por a mjafton ta pastroj tri herë me një peshqir apo leckë të lagur?

Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut dhe paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Nëse një fëmijë urinon mbi qilim apo gjëra të ngjashme, për largimin e papastërtisë mjafton që fillimisht urina të thithet me një sfungjer apo leckë, pastaj vendi të lahet duke hedhur ujë mbi të. Kjo duhet përsëritur derisa të mendosh se papastërtia është larguar. Kjo e bën më të lehtë hedhjen e ujit mbi qilim, sepse uji do të hidhet në një sasi të vogël dhe vetëm në vendin ku ndodhet papastërtia.

Shejh Ibn Uthejmin rahimehullah u pyet: “Si pastrohet një qilim i madh nga papastërtia? A është e domosdoshme shtrydhja gjatë larjes së papastërtisë pasi të jetë larguar vetë papastërtia?”

Ai u përgjigj:

“Mënyra për ta larë një qilim të madh dhe për ta pastruar nga papastërtia është që fillimisht të largohet vetë papastërtia, nëse ka trup. Nëse është e ngurtë, atëherë hiqet. Nëse është e lëngshme, si urina, atëherë thahet me një sfungjer derisa të përthithet plotësisht. Pastaj hidhet ujë mbi të derisa të mendosh se gjurmët e saj janë larguar ose se papastërtia është pastruar. Në rastin e urinës, kjo mund të arrihet duke e bërë këtë dy ose tri herë. Sa i përket shtrydhjes, ajo nuk është e domosdoshme, përveç nëse papastërtia nuk largohet ndryshe, si në rastin kur ajo depërton thellë në sendin që po lahet dhe nuk është e mundur të pastrohet brendësia e tij përveçse me shtrydhje. Në atë rast, duhet të shtrydhet.”

Mbaron citimi nga Fetaua Nur ala ed-Derb.

Por nëse papastërtia është mbi një sipërfaqe të fortë, si pllakat, atëherë çështja është më e lehtë, sepse sipërfaqet e forta nuk e përthithin papastërtinë. Prandaj, nëse e pastron vendin me një leckë apo peshqir të lagur dhe më pas e lan disa herë, kjo mjafton për ta pastruar, me kusht që të zhduken të gjitha gjurmët e papastërtisë, si ngjyra dhe era.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: https://islamqa.info/ — Solli në gjuhen shqipe pergjigje.net