Pyetje: Unë dhe burri im grindemi vazhdimisht për shkak të xhelozisë sime ndaj tij. Jam xheloze ndaj tij dhe i kontrolloj shikimet e tij. Ai gjithmonë thotë se xhelozia e lavdërueshme është që të ruhen kufijtë e Allahut dhe se xhelozia ime vetëm shpie drejt divorcit. Unë nuk jam bindur nga fjalët e tij. Mendoj se është e drejta ime të jem xheloze ndaj tij edhe pse ai është fetar dhe unë nuk dyshoj tek ai. Më këshillo, Allahu të dhëntë sukses!
Përgjigje: E këshilloj atë që ta zvogëlojë xhelozinë e saj. Përndryshe, xhelozia është pjesë e natyrshme e gruas. Ajo bëhet xheloze ndaj tij sepse e do atë por nëse xhelozia i kalon kufijtë, ajo shndërrohet në diçka negative. E lodh shumë gruan. Prandaj e këshilloj që ta pakësojë xhelozinë e saj.
Nga ana tjetër e këshilloj edhe burrin që ta falënderojë Allahun -azze ue xhel- që i ka dhënë një grua të mirë e cila e do atë. Dashuria mes bashkëshortëve kontribuon në një jetë të lumtur. Përndryshe xhelozia është një tipar natyror që duhet të ekzistojë. Burri duhet ta falënderojë Allahun që gruaja e tij është xheloze. Ndërsa gruas i them ta zvogëlojë xhelozinë sepse përndryshe do t’ia vështirësojë jetën dhe do ta lodhë atë.
Sa i përket divorcit, nuk duhet t’ia përmendësh kurrë këtë fjalë gruas. Nëse burri ia përmend divorcin gruas, ajo do të mendojë vazhdimisht për të. Kjo është gabim. Është budallallëk që burri t’ia përmendë këtë fjalë gruas së tij, qoftë edhe si kërcënim. Nëse e kërcënon me divorc, shejtani fillon ta shqetësojë vazhdimisht me këtë çështje, derisa në fund mund të çojë vërtet në divorc.
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
El-Lika Esh-Shehri (31)
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com




