Pyetja:

A mund të agjërohet në ditën e lindjes së profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!)?

***

Përgjigjja:

Sa i përket ditëlindjes së Profetit ﷺ, ajo që nënkuptohet është dita në të cilën ai i bekuar ﷺ ka lindur dhe kjo ditë në origjinë, sipas haditheve të sakta të ardhura nga Profeti ﷺ, i ka takuar që të ketë qenë ditë e hënë (në arabisht “JEUMU EL-ITHNEJN”). Gjithashtu një nga shkaqet që ka cekur Profeti ﷺ për agjërimin e kësaj dite, është pikërisht fakti se kjo është dita kur ai është lindur.

Kurse sa i përket datës 12 RABIIÂ EL-EUEL, e cila pretendohet të jetë dita e lindjes së Profetit ﷺ, duhet thënë se për hir të së vërtetës kjo datë nuk gëzon konsensus tek historianët e Islamit që të jetë medoemos dita e ditëlindjes së Profetit ﷺ.

Më konkretisht, agjërimi në datën 12 RABIIÂ EL-EUEL, me konsideratën dhe përshkrimin se ajo është ditëlindja e Profetit ﷺ, nuk qëndron për dy arsye:

E para: sepse kjo ditë nuk gëzon konsensus të jetë vërtet ditëlindja e Profetit ﷺ, pasi përveç thënies se profeti Muhamed ﷺ është lindur më 12 RABIIÂ EL-EUEL, janë thënë edhe një sërë thëniesh të tjera.

Së dyti: mund të ndodhë që kjo ditë t’i takojë të bjerë në një ditë në të cilën agjërimi është mekruh, sikurse në ditën e premte apo ditën e shtunë, pasi dita e premte dhe ajo e shtunë, janë ditë që është e papëlqyeshme të veçohen me agjërim.

Kurse sa i përket agjërimit të të hënës së çdo jave duke e falënderuar Allahun e Madhëruar për sjelljen në jetë të profetit Muhamed ﷺ pikërisht në këtë ditë të javës, e tillë gjë është e lejuar sheriatikisht.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi