Pyetja:

Një dashamir i imi ka ndërruar jetë prej disa kohësh dhe dua të bëjë mirë për të pas vdekjes së tij, dua të lutem për të sa më shpesh. Në çfarë trajte mund të kërkoj falje për të dhe cilat janë lutjet që mund të bëj për të, mundësisht desha të më tregoni disa nga lutjet profetike që mund të bëj për këtë rast?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhamedin ﷺ.

Të gjithë juristët muslimanë janë të një mendimi se është shumë mirë që t’i bëjmë lutje (për mirë) dhe t’i kërkojmë falje Allahut për muslimanin që ka ndërruar jetë.

Lutja për të vdekurin musliman vlen në çdo trajtë të luturi që shpreh mëshirë dhe përbën kërkim faljeje për të; kjo lutje i bën dobi atij me lejen e Allahut në çdo vend që bëhet dhe nuk është kurrsesi kusht që të gjendemi pranë varrit të tij.

Prej lutjeve të transmetuara në këtë kontekst janë edhe lutjet të cilat bëhen kryesisht në faljen e namazit të xhenazes së të vdekurit musliman, të cilat mund të bëhen për të vdekurin musliman në përgjithësi, si vijon:

Së pari: Lutje profetike për të vdekurin musliman

Lutja e parë:

“O Allah, Filani i biri i Filanit / Filanja e bija e Filanit (thuhet emri i të vdekurit musliman dhe emri i babait të tij) është në marrëveshjen Tënde dhe fillin e Fqinjësisë Tënde (mbroje dhe siguroje nga ndëshkimi dhe mbaje në përkujdesjen Tënde); mbroje atë nga sprova e varrit [nga marrja në pyetje prej engjëjve, nga errësira, ngushtimi dhe dënimi i varrit] dhe nga ndëshkimi i Zjarrit. Ti je i denjë për besnikëri dhe për të vërtetën e (falënderimin) (besnikëria dhe e vërteta Jote janë absolute dhe vetëm Ty të takon falënderimi absolut). O Allah, fale atë dhe mëshiroje; vërtet Ti je Falësi i madh (i falë shumë mëkatet) dhe Mëshiruesi i madh (falë mëshirës Tënde të madhe i pranon adhurimet tona).”

Lutja e dytë:

“O Allah, fale atë (sillet ndërmend i vdekuri musliman) dhe mëshiroje (fshija të këqijat e tij dhe pranoja adhurimet që ka bërë për Ty), ndjeje (pastë ndjesën / faljen Tënde për mangësitë dhe lëshimet e tij), jepi mirëqenie (jepi mbarëvajtje, duke e shpëtuar nga gjërat e padëshiruara, ndëshkimi dhe belatë e botës ku gjendet), nderoje vendpritjen e tij [prite atë me bujari e nderim o Allah), zgjeroja vendhyrjen e tij (bëja varrin të gjerë dhe komod]5, laje atë me ujë shiu, borë dhe breshër (pastroje atë nga pisllëku i mëkateve dhe shuaja djegësinë e tyre, siç janë uji pastrues dhe bora e breshëri shues e freskues), pastroje prej fajeve siç pastrohet rroba e pastër nga ajo e pistë (pastroje fort), zëvendësoja shtëpinë (e tij që ka pasur në dynjanë e përkohshme) me më të mirë (me vendbanim lumturues në botën tjetër), familjarët me më të mirë dhe bashkëshorten me më të mirë (bëja familjarët dhe gruan e tij banorë të Xhenetit, me cilësitë dhe sjelljet e përsosura të banorëve të tij), (fute atë në Xhenet e) mbroje atë nga sprova e varrit (nga marrja në pyetje prej engjëjve, nga errësira, ngushtimi dhe dënimi i varrit) dhe nga ndëshkimi i Zjarrit.”

Lutja e tretë:

“O Allah, fale të gjallin tonë dhe të vdekurin tonë (fali të gjithë muslimanët e gjallë dhe të vdekurin tonë e të gjithë të vdekurit muslimanë), të voglin tonë dhe të rriturin tonë (të rinjtë tanë dhe të vjetrit tanë), mashkullin tonë dhe femrën tonë (burra dhe gra), atë prej nesh që është i pranishëm (këtu) dhe atë prej nesh që nuk është i pranishëm! O Allah, kë do ta lësh gjallë prej nesh lëre të jetojë me besim (të plotë islam në zemër, të zhveshur nga idhujtaria dhe hipokrizia] dhe kë do prej nesh që ta vdesësh (t’ia marrësh shpirtin) merrja shpirtin në Islam [të bindur karshi urdhëresave hyjnore islame)! (O Allah mos na e ndalo shpërblimin për të (mos na e privo shpërblimin për lutjen për të dhe për përballimin me durim të humbjes së tij] dhe mos na bëj të humbur pas tij (na bëj të nxjerrim mësim nga vdekja e tij dhe të përgatitemi sa më mirë për takimin Tënd))!”

Lutja e katërt:

“O Allah, Ti je Zoti i këtij të vdekuri (sillet ndërmend i vdekuri musliman), Ti e krijove atë, Ti e furnizove atë dhe ti e udhëzove atë në Islam, Ti ia more shpirtin dhe Ti je më i dijshëm për të fshehtën e tij (bindjen dhe qëllimin që fshihej në zemrën e tij) dhe për të dukshmen e tij (veprën dhe bindshmërinë që ai shfaqte). Vijmë të ndërmjetësojmë për të, fale pra atë!”

Së dyti: Lutje të sahabëve (shokëve të Profetit ﷺ) për të vdekurin musliman

Lutja e parë:

“O Allah, ai (sillet ndërmend i vdekuri musliman) është faktikisht robi yt, biri i robit tënd, biri i robëreshës tënde, që dëshmonte se nuk ka të adhuruar të meritueshëm përveç Teje dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt. Ti je më i dijshëm për të (për veprën e fshehtë dhe atë të dukshme të këtij të vdekuri); o Allah, nëse ka bërë mirë shtoja (shpërbleja shumëfish) të mirat e tij dhe nëse ka bërë keq tejkaloja (mos ia merr në llogari) të këqijat e tij. O Allah, mos na e ndalo shpërblimin për të (mos na e privo shpërblimin për lutjen për të dhe për përballimin me durim të humbjes së tij) dhe mos na sprovo pas tij (mos na bëj të humbur pas tij, por na bëj që të nxjerrim mësim nga vdekja e tij dhe të përgatitemi sa më mirë për takimin Tënd).”

Lutja e dytë:

“O Allah, [ky (sillet ndërmend i vdekuri musliman) është) robi yt të cilin e dorëzuan familjarët, të afërmit dhe farefisi; mëkati (është) i madh, e Ti je Falësi dhe Mëshiruesi (fale atë).”

Lutja e tretë:

“O Allah, u gdhi robi yt Filani (thotë emrin e të vdekurit musliman), – thotë “u gdhi robi yt” nëse është mëngjes, ndërsa nëse është mbrëmje thotë: “u ngrys robi yt” – duke hequr dorë (u larguar) nga dynjaja dhe ia lënë atë banorëve të saj; ai është shumë nevojtar për Ty dhe Ti nuk ka fare nevojë për të; fale atë dhe tejkaloje (mos ia merr në llogari të këqijat e tij)!”12

Lutja e katërt:

“O Allah, fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, bashkoi zemrat tona (bëj që mes zemrave tona të sundojë harmonia, dashuria dhe mëshira), rregulloje raportet mes nesh (bëj që mes nesh të sundojë vëllazëria dhe dashamirësia), bëji zemrat tona si zemrat e më të zgjedhurve (të mirëve) tanë. O Allah, fale atë [sjell ndërmen të vdekurin), mëshiroje, ktheje atë në një mirësi më të mirë se ajo ku ishte. O Allah, Faljen Tënde (kërkojmë)!”

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu