Kohët e fundit është ngritur shpesh çështja e pranisë së fëmijëve në xhami. Për këtë temë duhet të mbahet një qëndrim i balancuar, i mbështetur në argumente fetare dhe në rregullat e përgjithshme të sheriatit, larg dy skajeve:
1- ndalimit absolut dhe
2- lejimit të pakushtëzuar.
Ky qëndrim bëhet më i qartë përmes sqarimeve të mëposhtme:
1. Parimi bazë: lejimi i pranisë së fëmijëve në xhami
Marrja e fëmijëve në xhami është në parim e lejuar, madje mund të jetë pjesë e edukimit të tyre fetar dhe e lidhjes së tyre me shtëpitë e Allahut.
Megjithatë, nëse prania e tyre shndërrohet në shqetësim për namazin e njerëzve, qetësinë ose pastërtinë e xhamisë, atëherë ajo kufizohet sipas masës së dëmit.
2. Nuk ekziston hadith i saktë që urdhëron: “Sillni fëmijët në xhami”
Nuk ka hadith të saktë që thotë:
“Sillni fëmijët në xhami.”
Megjithatë Profeti ﷺ ka thënë:
“Urdhërojini fëmijët tuaj për namaz kur të bëhen shtatë vjeç.”
Ky hadith nuk përmend shprehimisht xhaminë, por vendos bazën e edukimit praktik në namaz. Një pjesë e këtij edukimi, sidomos për djemtë që arrijnë moshën e dallimit, është mësimi i namazit me xhemat dhe sjelljes së tyre në xhami.
3. Hadithet tregojnë se fëmijët ndodheshin në xhami
Nga hadithet e sakta dimë se fëmijët ndodheshin në xhami, Profeti ﷺ tregonte mëshirë ndaj tyre dhe ai shkurtonte namazin kur dëgjonte qarjen e një fëmije;
megjithatë nuk ka asnjë hadith që tregon se fëmijët lejoheshin të luanin në saf, ose të prishnin qetësinë dhe përqëndrimin në namaz të njerëzve me zhurma dhe lojëra.
Kjo tregon se prania e tyre ishte e kontrolluar dhe e disiplinuar.
4. Çfarë ndodh kur fëmijët bëjnë zhurmë?
Këtu duhet dalluar mes pranisë së fëmijës dhe dëmit që vjen nga sjellja e pakontrolluar. Dijetarët bashkëkohorë e kanë sqaruar qartë këtë çështje.
Shejh Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë se nëse fëmija është shumë i vogël dhe shqetëson namazlinjtë, është më mirë të mos sillet në xhami; ndërsa nëse fëmija kupton, nuk bën zhurmë dhe falet, atëherë nuk ka problem.
5. A e prish namazin zhurma e fëmijëve?
Zhurma e fëmijëve nuk e prish automatikisht namazin e të tjerëve.
Megjithatë ajo mund të:
– ulë hushun (frikërespektin dhe përqendrimin)
– shpërqendrojë namazfalësit
– dëmtojë qetësinë e xhamisë.
Prandaj kjo trajtohet si çështje e edukatës së xhamisë dhe e largimit të shqetësimit, jo si pavlefshmëri e namazit.
6. Largimi i dëmit
Një nga rregullat e mëdha juridike në Islam është hadithi:
«لا ضرر ولا ضرار»
“Nuk ka dëm dhe as të dëmtuar reciprok (Askujt nuk guxohet t’i shkaktohet dëm, as dëmi i shkaktuar të kthehet në të njëjtën mënyrë).”
Në bazë të këtij parimi nëse një veprim shkakton dëm për të tjerët, ai kufizohet ose ndalohet edhe nëse vetë veprimi është në thelb i lejuar. Ky rregull zbatohet edhe në çështjen e fëmijëve në xhami.
7. Të drejtat e xhematit në namaz
Namazi me xhemat, për ata që prezantojnë në xhami, ka disa të drejta që duhet të ruhen:
1- rregulli dhe qetësia e safëve
2- përqendrimi (خشوع)
3- dhe mosshqetësimi i namazfalësve
Profeti ﷺ doli tek njerëzit ndërkohë që ata po falnin namaz dhe zërat e tyre në lexim (të Kuranit) ishin ngritur, prandaj ai tha:
“Mos e ngrini zërin me Kuran duke shqetësuar njëri-tjetrin.”
Nëse edhe leximi i Kuranit mund të ndalohet kur shqetëson të tjerët, atëherë zhurma e fëmijëve është edhe më problematike. Prandaj shumë dijetarë kanë theksuar se ruajtja e qetësisë së namazit të xhematit është një e drejtë kolektive.
Së fundi:
Qëndrimi i drejtë në këtë çështje është rruga e mesme:
Xhamia nuk është vend për ndalimin absolut të fëmijëve, por as vend ku lejohet prishja e qetësisë së xhamisë dhe shpërqëndrimit të namazit të njerëzve.
Prandaj nëse fëmija është i disiplinuar dhe nuk shqetëson prania e tij është e lejuar dhe madje edukative. Nëse ai shqetëson namazfalësit, atëherë prindi duhet ta qetësojë ose ta largojë përkohësisht, sepse ruajtja e qetësisë dhe frikërespektit të namazit është e drejtë e gjithë xhematit.
/Dr. Adelina Kuçana/




