Pyetja:

Jam një djalë 22 vjeçar. Kam kaluar shumë vite duke u përpjekur në shkrimin e tregimeve imagjinare dhe e di se këtë pyetje e kam bërë përpara dhe kam pyetur vetë shpesh për shkrimin e tregimeve imagjinare dhe legjendave dhe përgjigjet kanë qenë të ndryshme. Disa thonin se shkrimi i tyre është gënjeshtër e patjetër që duhet të eliminohen, disa të tjerë thoshin se nëse janë vetëm për argëtim, në të nuk ka shirk dhe njerëzit e dinë se ato janë gënjeshtra atëherë nuk ka problem. Kjo gjë më futi në dilemë dhe fillova të dyshoj në tregimet që i shpikja se mos ishin frymëzim prej shejtanit. Kjo gjë më ka preokupuar shumë dhe nuk kam gjetur zgjidhje dhe shumë herë i lutem Allahut në namaz se, nëse janë haram, të m’i largojë këto nga mendja; dhe, nëse janë hallall, të më bekojë në to, të më shtohen në mendje dhe të filloj të shpik më shumë tregime. Këto tregime – për t’jua shpjeguar më mirë – aty ka legjenda dhe krijesa përrallore dhe gjëra të ngjashme të këtij soji. Jam shumë në dilemë sidomos kur shpikja e këtyre tregimeve është dhuntia që unë posedoj dhe nuk kam mënyrë tjetër ndërmend për të fituar rrizkun në të ardhmen. Me këtë kam ndërtuar shumë ëndrra dhe kam bërë nedhër (kam premtuar) se atë që do fitoj prej saj – në dashtë Allahu – të jap në rrugë të Allahut, dua të them se qëllimi im nga gjithë këto tregime nuk është vetëm se shpenzimi i asaj që fitoj në ndihmën e njerëzve.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Tij ﷺ, dhe në vijim:

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me gjykimin e tregimeve fiktive në të cilat nuk ka haram apo gjë që të ftojë në haram, të pakësojë çështjen e fesë dhe të njerëzve të saj apo që të largojë sadopak shthurjen e prishjen dhe njerëzit që i veprojnë ato. Disa prej tyre mendojnë se është e papëlqyer dhe disa të tjerë mendojnë se lejohen nëse synimi është i lartë, si mësimi i shkencave, nxitja për një virtyt, nxitja për trimëri, sjellja e shembujve dhe qartësimi i gjykimit apo nëse në to ka dobi morale dhe sociale njësoj nëse personazhet janë njerëzit, kafshët apo sendet. Edukuesit i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë këto. P.sh. Haririj, një autor, në tregimet e tij, supozon një personazh imagjinar dhe trajton me të një çështje të caktuar dhe kanë qenë të pranuara tek të gjithë: dijetarë e të tjerë.

Poetët në kohën e Pejgamberit ﷺ në prezencën e tij e çelnin poezinë e tyre me hyrje imagjinare, si poezia “U nda Suada” dhe këtë nuk e ka kundërshtuar as Pejgamberi ﷺ dhe as sahabët, edhe pse këto hyrje tregojnë për gjëra të supozuara për ndarjen, largimin dhe kjo mund të mos i ketë ndodhur fare poetit.

Gjithashtu, Ibn Mukaffa’ ka shkruar tregimin e Kelilasë dhe Dimnasë me personazhe kafshë dhe është pritur shumë mirë nga dijetarë dhe të tjerë.
Ndërsa, nëse tregimi përmban gjëra të urryera ose i thurin lavde një gjëje të pavlerë, nuk ka dyshim se ajo është haram.

Ibn Uthejmini thotë: “Nuk ka gjë nëse ato kurojnë probleme fetare, morale ose sociale sepse sjellja e shembujve me histori të supozuara joreale nuk ka problem, madje disa dijetarë e kanë përmendur këtë në disa shembuj të Kuranit se ato nuk janë reale, por që Allahu i ka sjellë si shembuj, si fjala e Allahut të madhëruar: “Sjell Allahu si shembull dy burra: njëri memec që nuk mundet të bëjë gjë dhe ai është ngarkesë për kujdestarin e tij, kudo që e udhëzon nuk sjell hajr, a barazohet ai me atë që urdhëron për drejtësi dhe është në rrugë të drejtë?” (Nahl: 76)

Nuk mendoj se ka gjë në këtë sepse për qëllim është paralajmërimi, por nëse ndodh që njeriu të ketë dije nga Kurani dhe Suneti, pastaj ndeshet në ajetet ku ka kurim të problemeve, i shpjegon ato dhe i komenton dhe sjell shembuj të ngjashëm, kjo është më mirë. Po kështu të përmendë hadithe, t’i komentojë ato dhe të sjellë të ngjashme, kjo është më mirë, padyshim.”

Përgatiti: Udha e Besimtarëve