Pyetja:

A na pranohet namazi edhe kur nuk mundemi të përqendrohemi ndonjëherë apo gabojmë diçka në namaz?

***

Përgjigjja:

Përqendrimi në namaz është dy llojesh:

Një, përqendrim i detyruar, pa të cilin namazi nuk është i rregullt. Ky përqendrim ka të bëjë me plotësimin e mirë dhe të rregullt të çdo pjese të namazit, ku njeriu mban mend numrin e rekateve, radhën e veprimeve dhe çdo gjë bëhet në mënyre normale dhe pa nxitim.

Ndërsa përqendrimi i dytë, është përqendrim i pëlqyer, i cili i ngre vlerën namazit dhe njeriu merr më shumë shpërblim nga ky namaz.

I Dërguari i Allahut, ﷺ, thotë: “Njeriu e fal namazin dhe atij i shkruhet (si shpërblim) nga ky namaz, vetëm një e dhjeta, një nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një katërta, një e treta apo gjysma.” [1]

Pra, njeriu asnjëherë nuk arrin ta marrë dot shpërblimin e plotë për namazin e tij dhe kjo pikërisht për shkak të përqendrimit të tij dhe plotësimit sa më të mirë të rregullave, por gjithsesi namazi quhet i kryer nga ana fetare edhe nëse nuk plotësohet ky lloj përqendrimi i dytë i pëlqyeshëm, namazi në këtë rast nuk përsëritet.

Nëse gabimet kanë të bëjnë me llojin e parë, namazi është i parregullt. Nëse kemi të bëjmë me gabime të llojit të dytë, namazi është i rregullt.

Ndërsa për sa i përket pranimit tek Allahu, kjo është diçka që ne nuk mund ta gjykojmë dot, pasi i përket vetëm Zotit dhe nuk mund të gjykojmë nga ky aspekt, nëse një namaz është i pranuar apo jo. Ne gjykojmë vetëm nëse namazi është i rregullt apo jo dhe namazi i rregullt shpresohet tek Allahu të jete i pranuar, ndërsa nëse ai nuk është i rregullt nuk është as i pranuar.

Allahu e di më së miri.

Justinian Topulli

————————–

[1] Nesaiu, Ebu Davudi