Përgjigja:

Allahu thotë në Kuran: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami… ” (Ali Imran: 19 )

Allahu i Lartësuar, pasi argumentoi bindshëm se vetëm Ai është Zoti që meriton të adhurohet me dashuri, madhërim, përkushtim, nënshtrim e bindje, vijon që të sqarojë fenë, domethënë ligjin dhe mënyrën e adhurimit që Ai pëlqen dhe e ka përzgjedhur për njerëzimin. Ai na tregon se feja, me anë të së cilës njerëzit duhet të adhurojnë Atë, është Islami. Islami është: dorëzim, përkushtim dhe nënshtrim ndaj Zotit të vetëm. Islam do të thotë që t’i dorëzohesh një Zoti të vetëm, duke e adhuruar me dashuri dhe me bindje, ashtu sikurse të është shtjelluar prej Profetit të Zotit. Islam do të thotë të zbatosh gjithçka që Zoti e ka sqaruar në Librin e Tij ose nëpërmjet Profetit dhe traditës së tij. Islami është feja e vetme e pranuar nga Zoti i gjithësisë.

Kjo fe ndërtohet mbi bazën e sinqeritetit ndaj Zotit në dashurinë ndaj Tij, frikërespektin për Të, në shpresën, pendimin dhe lutjet e shprehura Atij. Islami mbështetet, gjithashtu, mbi sinqeritetin në pasimin e traditës dhe udhëzimit të sjellë prej Profetit të Zotit. Ky është thelbi i fesë së vetme, që e kanë sjellë të gjithë profetët. Të gjithë kanë ftuar për sinqeritet në adhurimin e Allahut, dhe që ky adhurim të jetë sipas mësimeve dhe udhëzimeve të Tij.

nga Shejh Sa’di