Pyetja:

Jam motër myslimane, i fali pesë kohët e namazit dhe mundohem t’i përfilli obligimet fetare sa më shumë edhe pse mbulesë ende nuk mbaj. E kam një ofertë për martesë dhe mendoj se është një ofertë serioze. Familja ime dhe familja e atij djalit janë dakord që ne dy të bashkohemi edhe pse ne të dy ende nuk kemi vendosur. Më brengos fakti se ai djali nuk i falë pesë kohët e namazit edhe pse kështu dukej që kishte njohuri për fe dhe po e falte xhumanë. Kisha pas dëshirë një mendim tuajin nëse ka mundësi. S’po di a ta dëgjoj familjen apo me prit deri sa të më ofrohet ndonjë ofertë tjetër?

***

Përgjigjja:

Duke e lutur Allahun që t’ju shpërblejë për angazhimet tuaja fetare, që t’ju forcojë në to dhe t’ju shtojë udhëzimin për t’i përfillur edhe më tej porositë e tjera islame, pyetjes suaj do t’i përgjigjesha si vijon:

Namazi është shtylla më esenciale në Islam pas besimit. Madje lidhja e besimit me namazin dhe anasjelltas është shumë e ngushtë. Derisa djali, i cili kërkuaka dorën tuaj falka namazin e xhumasë dhe paska njohuri për fenë, mendoj se ju do të ishte mirë që të bisedonit me të pikërisht për këtë çështje si dhe për vizionin tuaj për jetën dhe ndërtimin e familjes, dhe pasi familjet qenkan të pajtimit, atëherë vendosni pozitivisht. E nëse pasi t’i keni vënë pikën i-së, nuk ndjeni se djali do të jetë përfillës i rregullt i namazit, hiqni dorë nga kjo ofertë dhe pritni ndonjë ofertë tjetër më të formuar.

Motër, nëse një ofertues nuk e përfillë faljen e namazit qysh tani, përveç ndërlikimeve fetare-ligjore për martesë, rrezikon që me kalimin e kohës të bëhet edhe pengesë për ju për ta vendosur shaminë, për ta falë namazin etj.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku