mallkimi prej personit qe i behet padrejtesi

Pyetja:

Nëse dikujt apo pasurisë së tij i bën keq apo padrejtësi, por pa qëllim (pa dashje) dhe nëse ai mallkon, a të kap mallkimi i tij? A ka ndonjë këshillë në Islam në këto raste?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Vërtet një nga gjërat për të cilat më së shumti na e ka tërhequr vërejtjen Zoti i Madhëruar përmes të Dërguarit të Tij, ﷺ, është të ruhemi nga lutja e personit të cilit i bëhet zullum (padrejtësi). I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Tre personave nuk u kthehet duaja prapa: prijësit të drejtë, agjëruesit gjersa të bëjë iftar dhe lutja e atij që i është bërë zullum.” [1]

Dhe thotë: “Ruaju nga duaja e atij që i është bërë padrejtësi sepse ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka perde.” [2]

Gjithashtu ai e bënte edhe këtë lutje: “Allahu im, kërkoj mbrojte te Ti nga lodhja e udhëtimit, kthimi i molisur, nga prishja e gjërave pas përmirësimit të tyre, nga lutja e atij që i është bërë zullum dhe shikimi i keq në familje dhe pasuri.” [3]

Prandaj, vëlla i nderuar, ju këshillojmë që të keni kujdes në këto raste dhe mos nxitoni që të ndërmerrni hapa të ngutura në raport me njerëzit e tjerë. Vërtet nxitimi na shpie të tejkalojmë kufijtë ndaj të tjerëve. Gjithashtu ju këshillojmë që për ta përmirësuar gabimin ose zullumin që u keni bërë të tjerëve dhe për t`i ikur kapjes së lutjes së atij personi që i keni bërë padrejtësi, është e nevojshme që ju, posa ta kuptoni gabimin, të shkoni te personi në fjalë dhe t’i kërkoni falje dhe t`ia ktheni hakun. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

—————————

[1] Tirmidhiu

[2] Buhariu

[3] Nesaiu