Pyetja:

Kam udhëtuar nëpër disa vende islame dhe, kur hyra në njërën prej xhamive për kryerjen e namazit, myezini thërriste ikametin ashtu si thërritet ezani. Si është suneti? A lejohet që ikameti dhe ezani të kenë të njëjtën formë?

***

Përgjigjja:

Lejohet një gjë e tillë, dhe kjo është prej llojllojshmërisë së sunetit Profetik në ezan [1], sepse kjo është saktësuar në hadithe të vërteta. Transmetohet nga Ebi Mahdhure [2] se Pejgamberi ﷺ ia mësoi ezanin dhe ikametin në Qabe, në kohën e çlirimit të Mekës. [3]
Gjithashtu, lejohet që forma e Ikametit të jetë tek, përveç thënies “kad kametis-salah” dhe tekbirit (Allahu ekber- Allahu ekber), siç e praktikonte këtë Bilali në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në prezencën dhe me mësimin e tij ﷺ.
Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prejt tij!) se ka thënë: “Bilali në prezencën e Pejgamberit ﷺ fjalët e ezanit i bënte çift, ndërsa të ikametit tek”. [4]

Prej këtyre që i cekëm më lart kuptohet se s’ka asgjë të keqe që forma e thënieve të ikametit të jetë çift apo tek, duke pasur kujdes që të thuhet në çift thënia e ikametit dhe e tekbirit; kam për qëllim thënien “kad kametis-salah” dhe “Allahu ekber”. Ndryshimi është në dy dëshmitë (shehadetet) dhe në dy haj’alet (haj’je ales-salah, haj’je alel-felah); në hadithin e Ebi Mahdhures, i ka thënë në çift, ndërsa në hadithin e Enesit dhe në hadithe të tjera, të cilat e përshkruajnë formën e Ezanit dhe të Ikametit të Bilalit (radijallahu anhu), janë thënë tek, dhe të dyja mënyrat janë sunet.

Shejh Abdulaziz ibn Baz, Mexhmu’u fetaua ue mekalat muteneu-uiah, vëllimi i dhjetë

——————————–

[1] Ikameti quhet edhe ezan, siç ka ardhur në hadithe.

[2] Ebu Daudi në Sunenin e vet. Shejh Albani rahimehullah e ka vërtetuar si të saktë.

[3] D.m.th. të dyja në çift.

[4] Buhariu & Muslimi