Pyetja:
A është e vërtetë se kur gjeli këndon i sheh melekët (engjujt)?
***
Përgjigjja:
Po, është e vërtetë se gjeli kur këndon sheh melek (engjull). Këtë e ka vërtetuar vetë i Dërguari i Allahut ﷺ në një hadith të tij. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kur ta dëgjoni zërin e gjelave duke kënduar, luteni Allahun t’ju japë prej mirësive të Tij, ngase ato kanë parë melek. E lur ta dëgjoni gomarin duke pallur, kërkoni mbrojtje te Allahu prej shejtanit, se gomari ka parë shejtan”.
Ky hadith qartë shpjegon se gjeli e sheh melekun, ndërkaq gomari shejtanin. Nga hadithi në fjalë kuptohet se kafshët shohin gjëra të cilat njerëzit nuk mund t’i shohin.
Muslimani duhet t’i besojë bindshëm asaj që ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ, ngase ai nuk flet nga mendja e vet, por ajo që e thotë ai është shpallje nga Allahu. Këtu nuk ka asnjë habi, sepse këtë na e ka treguar Muhamedi ﷺ, të cilit Allahu i tregon gjëra që ne nuk i dimë si njerëz. Kjo nuk është çështje që mund të futet në laboratore për t’u vërtetuar, por duhet besuar ashtu si ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ.
Në aspektin shkencor mund të bëhen analiza për fuqinë optike të këtyre dy gjallesave apo edhe të gjallesave tjera, por kjo nuk mund të vërtetojë parjen e melekut apo shejtanit. Ka shumë gjëra që njerëzit nuk i dinë dhe shkenca nuk mund t’i zbulojë, por ato janë të vërteta, ashtu siç na ka lajmëruar Kurani dhe Muhamedi ﷺ.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu