Pyetja:

Një e afërme shoqe ka problem me lukthin dhe nuk ka mundësi të agjërojë çdo ditë, a ka mundësi që të agjërojë një ditë po një ditë jo?

***

Përgjigjja:

Nëse një person vuan nga ndonjë sëmundje, ai lirohet nga agjërimi, me kusht që sëmundja të jetë e asaj natyre që kërkon barna shpesh, apo kërkon ushqim shpesh, apo ujë shpesh, ashtu që është e pamundshme të agjërojë, ngase nuk mund të qëndrojë tërë ditën pa ushqim dhe pa barna. Nëse sëmundja nuk është e kësaj natyre, atëherë personi duhet të agjërojë, dhe në konsultim me mjekun, do të mundohet t’i merr barnat në syfyr dhe në iftar. Allahu i Madhërishëm, kur ka folur për agjërimin, ka thënë: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (Bekare: 185)

Ndërkaq, për të sëmurët, ka thënë: “e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aqë më mirë për te. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare: 184)

Në rastin që e paraqisni ju në pyetje, duhet të shihet a thua vërtet femra në fjalë nuk mund të agjërojë, për shkak sëmundjes së lukthit. Nëse vërtet nuk mund të agjërojë, atëherë do ta prish agjërimin. Por, nëse disa ditë mund t’i agjëroje, duhet të agjërojë, e kur nuk mundet do të han.

Më pas, kur të kalojë Ramazani, ditët të cilat i kanë ngelur, do t’i kompensoje. Këtë mund ta bëjë kur do të jetë dita më e shkurtë, që ndoshta nuk do t’i pengoje në lukth. Poashtu, këto ditë të cilat i kanë ngelur, nuk është patjetër t’i agjëroje njëra pas tjetrës, por mund t’i agjëroje të ndërprera, gjegjësisht një ditë të agjëroje dhe një ditë, apo dy e kështu me radhë, mos agjëroje, me qëllim që mos e rëndoje lukthin.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu