Pyetja:
Unë kam bërë një kërkesë në një bankë ekonomike pasi punoj dhe kam rrogë, mirëpo nuk po mundem t’i kryej ca obligime që i kam për shpejt, andaj vendosa që të përdor mënyrën overdraft që e quajnë në bankë dhe normal nëse p.sh. unë e kam rrogën 400 euro, ata t’i vendosin edhe 400 euro shtesë, d.m.th. unë mbetem në minus dhe nga e tëra kjo më ndalet vetëm 0.002%, që i bie shumë pak, as 10 euro më shumë për të paguar për krejt. E unë mendova që nga ajo shumë t’i kryej nevojat e mia dhe disa t’i jap lëmoshë. Unë e di që kamata nuk lejohet, krejt e kam të qartë, mirëpo unë nuk po marr kamatë, por po jap më shumë, që për mua s’ka lidhje për një shumë të vogël. Të lutem, hoxhë i nderuar, më jep një përgjigje pozitive sepse me të vërtetë s’po mundemi t’i ikim kohëve të fundit, por kemi nevojë për gjëra të cilat nuk na i mbulon një pagë, se po kemi shpenzime. Elhamdulilah, me namaz e me krejt i ruhemi haramit shumë dhe frikësohem shumë, por nëse ndodh ndonjë gjë s’dua të shkoj te njerëzit duke lypur e t’i bezdis, por më mirë i jap edhe 10 euro ekstra, se kështu kujtdo që ia lyp duhet t’i lësh diçka më shumë si falënderim. Njerëzit janë të mirë elhamdulilah krejt, po megjithatë paraja disi po është diçka që edhe muslimanët po i prek dhe s’kanë qejf thjesht, e unë nuk jam njeri që i lyp njerëzve pasi punoj e pse jo, vetëm një herë dhe pastaj e mbyll këtë kontratë.
Pyetja tjetër lidhet me të parën, janë si të ngjashme. Është një kartelë e bankës Maestro dhe aty t’i vendosin gjithashtu 400 euro. Pastaj, nëse i harxhon 100 euro i ke 5 euro minus që t’i ndalin, nëse 200 edhe 5 e kështu për çdo 100 euro harxhim t’i ndalin nga 5 euro. Unë njoh muslimanë që e praktikojnë këtë gjë dhe është normale hoxhë apo se diqysh ne nuk po marrim, por japim. Ajo është kartelë vetëm për shoping kur ke për të blerë, nëse ke ngelur pa të holla, atëherë mundesh që me ato, si hua kjo, s’po di. Unë kam aplikuar për të dyja e kismet ngadalë ngadalë sa t’i rehatoj disa gjëra, mandej heq pak keq ndoshta sa i përket luksit, e kam fjalën edhe i qes në vend. E di që sabri do të ishte ndoshta më i mirë në këtë aspekt mirëpo… e lus Allahun që të më falë dhe të mos na dënojë e mos të na gjykojë me drejtësinë e Tij, por me mëshirën e Tij.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Shërbimi bankar i njohur me emrin overdraft, që quhet edhe mbitërheqje, nënkupton se klienti i cili ka llogari në bankë dhe ka një rrogë stabile e të rregullt, ka të drejtë të tërheqë para nga banka më shumë seç ka të depozituar në llogarinë e tij, deri në një limit të caktuar. Ashtu si në shembullin nëse klienti ka një rrogë mujore 400 euro, ka mundësi që të tërheqë brenda muajit edhe 400 euro të tjera përveç rrogës.
Është shumë interesante se bankat te ne, posaçërisht për këtë shërbim, nuk marrin ndonjë shumë të madhe interesi, ashtu siç e përmendët ju mund të jetë interesi 0,02% ose edhe më pak. Sidoqoftë, pa u zgjeruar themi se kjo formë e marrjes së huas qoftë nga banka apo diku tjetër është formë e marrjes së parasë me borxh, qoftë edhe nëse është kamata (interesi) për të shumë e vogël. Është më se e saktë se kjo nuk është e njëjtë sikurse rastet kur banka përfiton shuma në përqindje të mëdha si rezultat i dhënies së parave me kamatë, por megjithatë edhe kjo është kamatë.
Pastaj, ju duhet ta kuptoni se është parim në jurisprudencën islame se çdo lloj borxhi i cili i sjell dobi huadhënësit, ajo huadhënie llogaritet me kamatë. E në rastin e bankave që i japin këto lloje borxhesh me këto kamata kështu të ulëta nuk përfitojnë nga kjo materialisht (d.m.th. duke vjelë kamata të majme), por përfitimi është i natyrës tjetër, se ata me këtë shërbim i joshin klientët të përfitojnë duke mbledhur sa më shumë klientë që i depozitojnë rrogat e tyre në këto banka që ofrojnë shërbime të këtilla. Prandaj, këtu qëndron dobia e bankës pse ato ofrojnë këtë shërbim me kaq kamata të ulëta. Kështu nuk gjejmë asnjë shkak që këtë lloj mbitërheqjeje ta shohim si të lejuar, ashtu siç nuk ka dallim në mëkat dhënia apo marrja e kamatës.
Është shume e qartë se është vështirë që njeriu të arrijë diçka me anë të të ardhurave materiale mujore prej 400 euro, prandaj i kuptojmë shqetësimet tuaja, por ju bëjmë me dije se në gjendjen ekonomike si është te ne, në këtë kohë një rroge prej 400 eurosh nuk është për t’u ankuar, duke pasur parasysh se si janë rrethanat ekonomike. Ju këshillojmë t’i largoheni kësaj forme të marrjes hua dhe gjithmonë kujtojeni se kush lë diçka vetëm për hir të Allahut, Ai do t’ia kompensojë atë me diçka më të mirë se ajo që ka lënë.
Ndërsa në lidhje me kartelën Maestro, themi se nëse keni për qëllim gjithashtu mbitërheqje, atëherë vlen e njëjta gjë që përmendëm më herët, por nëse është për qëllim diçka tjetër, atëherë duhet të sqaroni më shume se për çfarë keni për qëllim, pasi ka shumë gjera që ndërlidhen me kartelat.
Zoti e di më së miri.
Hoxhë Alaudin Abazi