Pyetja:
Na tregoni ç’duhet bërë besimtari kur i lind fëmija?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që pasuan rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.
Në vijim do të mundohemi t’i cekim disa sunete për të cilat na ka udhëzuar i Dërguari ynë Muhamedi – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lindë fëmija. Sunete të cilat disa praktikohen, disa janë harruar, disa aspak nuk janë praktikuar, disa prej tyre sot shkenca po na i zbulon etj, kurse neve si pasues të shëmbëlltyrës më të lartë njerëzore që ka ecur ndonjëherë mbi sipërfaqen e kësaj toke Muhamedit, jemi të obliguar t’i njohim e t’i praktikojmë sa më mirë.
Ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lind fëmija?
Është e pëlqyeshme që të përgëzohet, t’i jepet “myzhde” prindit të cilit i ka lindur fëmija, thotë Allahu në Kuran: “Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut Jakubin”. (Hud, 71) Kurse në ajetin tjetër thotë: “Allahu të përgëzon ty me Jahjanë”. (Ali Imran, 39)
Është e pëlqyeshme t’i këndohet ezani në veshin e djathtë, kurse ikametin në veshin e majtë[1]. Hadithin e ezanit e përcjell Ebu Rafiu i cili thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ, duke e kënduar ezanin në veshin e Hasenit, djalit të Aliut pasi e kishte lindur vajza e tij Fatimeja”.[2]
Është e pëlqyeshme që fëmijës së porsalindur t’i fërkohen buzët me hurma të përtypura, nga ndonjë njeri i devotshëm apo nga vetë familjarët e tij, kjo bazuar në hadithin e Ebu Musa el-Eshariut , i cili thotë: “Kur më lindi mua fëmija, shkova me të tek i Dërguari i Allahut, e ai e emëroi Ibrahim, pas kësaj e mori një hurmë e përtypi dhe pastaj e fërkoi gojën e fëmijës me hurmë”. [3]
Ç’duhet bërë në ditën e shtatë pas lindjes së fëmijës?
Është e pëlqyeshme t’i rruhen flokët fëmijës (ose t’i shkurtohen që mos të dëmtohet) dhe pastaj ato flokë peshohen, pesha e tyre në gram jepet sadaka në vlerën e argjendit (p.sh. nëse flokët peshojnë 2 gr. jepet sadaka në të holla aq sa bëjnë 2 gr. argjend), kjo vlen vetëm për djemtë e jo për vajzat. Kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, kur i tha Fatimes kur i lindi Haseni: “Qethjani kokën dhe jepni sadaka sa vlera e argjendit për flokët e tij e më pas shpërndava atë pasuri të varfërve”. Ndërsa unë i mata flokët e tij (Hasenit) të cilat peshonin dy gr. ose disa gr. [4]
Po ashtu hadithi të cilin e përcjell Semure Allahu qoftë i kënaqur prej tij ku thotë: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, theret akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët”.
I vendohet emri në ditën e shtatë kjo është më e mira, mirëpo emri mund t’i vendohet qysh në ditën e parë ose të tretën deri në ditën e shtatë, ose pas ditës së shtatë, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili thotë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, pritet akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët “. Po ashtu fjala e Pejgamberit ﷺ: “Mbrëmë mua më lindi një fëmijë dhe unë e emërova me emrin e babait tim (babait të profetëve Ibrahimit)”.[5] Prandaj prindërit duhet që fëmijës t’i vendosin një emër të mirë, pasi që me ato emra do të thërriten në ditën e gjykimit.
Është obligim synetimi i djemve, preferohet që sunetimi të bëhet në ditën e shtatë, siç thotë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Pesë gjëra janë prej fitres (natyrshmërisë njerëzore): Sunetimi, heqja e qimeve në pjesët e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, heqja e qimeve nën sqetulla.” [6]. Po ashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ, kur i erdhi një njeri dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut e pranova islamin. – i tha: “Hiqi qimet e kufrit (nën sqetulla dhe në pjesët e turpshme dhe merr gusëll) dhe bëhu sunet”.[7] Për kohën e sunetimit disa dijetarë kanë thënë se mirë është të bëhet në ditën e parë të lindjes, disa tjerë kanë thënë se lejohet edhe më vonë deri sa të afrohet koha e pubertetit, kurse mendimi më i saktë është se synetimi duhet bërë në ditën e shtatë. Të mos harrojmë se synetimi është obligim për meshkujt sipas shumicës së dijetarëve islam.
Akika dhe rregullat e saj:
Akika – është therja e kurbanit për fëmijën e porsalindur, akika është sunet i fortë, madje sipas një mendimi të dijetarëve edhe obligim, për fëmijët meshkuj priten dy dele kurse për fëmijët femra pritet një kurban, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ku thotë: “Për çdo fëmijë ka akika, andaj therni kafshë për ta dhe hiqjani flokët”.[8] Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ, theri për Hasanin dhe Husejnin nga dy dele për secilin.[9] Transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Pritni dy dele të barabarta për djalë dhe një dele për vajzë”.[10]
Koha e saj: Akika bëhet në ditën e shtatë kjo bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili thotë: “Për secilin fëmijë që lind, akika theret për të në ditën e shtatë”.[11] Duhet ditur se ato dispozita që vlejnë për kurbanin vlejnë edhe për kurbanin e akikës, vetëm se në kurban Bajram në të njëjtën kafshë mund të marrin pjesë më shumë vetë, gjë e cila nuk vlen për kurbanin e akikës, andaj në qoftë se e ther një lopë kjo vlen vetëm për një fëmijë, e jo për shtatë persona siç është rasti i kurbanit të Bajramit.
Akika theret edhe për fëmijën i cili vdes në barkun e nënës, që i ka mbushur katër muaj, njashtu edhe i vendohet edhe emri.
D – Obligimet e prindërve ndaj fëmijëve të tyre:
Prindërit e kanë për obligim t’i edukojnë fëmijët e tyre sipas edukatës islame, sepse Allahu i ka bërë ata që të lindin në natyrshmërinë e islamit, thotë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e islamit, ndërsa janë prindërit e tij që më vonë e bëjnë të krishterë, çifut ose zjarrëputist”.[12]
Fëmija urdhërohet të fal namaz qysh në moshën shtatëvjeçare siç tregohet në hadithin e saktë profetik . Prindërit obligohen tua mësojnë fëmijëve hallallin dhe haramin kur të hynë në pubertet. Fëmija duhet mësuar ta dojë Allahun, të Dërguarin e Tij, leximin e Kuranit si dhe ta pasojë në jetën e tij shëmbëlltyrën më të lartë njerëzore Muhamedin -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
Duhet t’i mësohet njësimi i Allahut, ta dijë se Ai e mbikëqyrë vazhdimisht, jetëpërshkrimi i Muhamedit ﷺ, madje edhe i profetëve të tjerë, të edukohen të bëhen të devotshëm, t’i mësohet se çfarë vlere ka vëllazëria në islam, të jetë i sjellshëm, i butë, i mëshirshëm, i guximshëm.
Të edukohet që të mos gënjejë, të mos kacafytet me shokët e tij, të mos shahet, të mos degjenerohet, duke e këshilluar se të gjitha këto janë vese tepër të ulëta.
Të ndalohet të ndjek çdo shembull tjetër përveç Muhamedit ﷺ, edukata dhe sjellja e të cilëve bien ndesh me edukatën e shëndoshë islame, të edukohet që mos të shpenzojë në gjëra të ndaluara, por edhe të mos e teprojë në ato të lejuarat.
T’i këshillojmë vazhdimisht që të mos shoqërohen me njerëzit e paedukuar, pra t’i largojmë nga shoqëria e keqe, pasi që çdoherë fëmija në sjelljen e tij pos prindërve të tij, ndikohet më shumë nga shoqëria e tij e afërt.
T’i mësohet fëmijës rëndësia e respektimit të prindërve, familjarëve, vëllezërve, motrave, farefisit, komshiut, të moshuarve dhe nevojtarëve, mësuesve edukatorëve etj.
Më në fund duhet ta dijë se Allahu ia ka dhënë këtë fëmijë dhe ai mund t’ia merr .
E – Shkaqet të cilat çojnë në devijimin e fëmijëve:
Divorci i prindërve shpesh sjellë deri tek prishja e familjes dhe kjo çon deri në degjenerimin e fëmijëve të tyre.
Mos shfrytëzimi i kohës së lirë të tyre (gjatë pushimeve verore dhe dimërore) me aktivitete të dobishme e të hairit (kurse Kurani, mësime fetare, marrja me sport, pikniqe me shoqëri të mirë, bashkëpunimi në kryerjen e punëve të shtëpisë, kopshtit, etj.)
Lejimi i tyre që të ndjekin e të shohin seriale kriminalistike e të degjeneruar, të cilët ndikojnë me të madhe tek ata.
Moskujdesi i prindërve për edukimin e tyre në përgjithësi duke i lënë ato që t’i edukojë lagjja, shkolla apo rruga dhe mediet. Të gjitha këto sjellin që fëmija t’i konsiderojë të gjitha veset nga të cilat vuajnë rinia si gjëra normale siç janë: pirja e duhanit, alkoolit, lidhjet e paligjshme ndërmjet gjinive të kundërta qysh në fëmijëri.
Prandaj këshillohen prindërit që të merren seriozisht me këtë çështje, pasi që çdo prind do të merret në llogari se si e ka edukuar fëmijën e tij, e jo sa ka harxhuar për të, sa a e ka shkolluar atë, sa është munduar që ai të avancohet në jetën e tij etj, pasi që i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë për prindërit dhe udhëheqësit: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdokush prej jush do të pyetet për kopenë e tij, prijësi është bari e ai do të merret në llogari për kopenë e tij, burri është bari i familjes së tij, e ai do të merret në llogari për të, gruaja është bareshë për shtëpinë e saj, e ajo do të merret në llogari për kopenë e saj, skllavi është bari për mallin e zotërisë të tij (sot punëtori apo i punësuari për vendin, institucionin ku punon) edhe ai do të merret në llogari për kopenë e tij, çdokush prej jush është bari dhe do të pyetet për kopenë e tij”.[13]
Këtë këshillë ia kushtoj çdo prindit besimtarë i cili dëshiron që shoqëria jonë të ketë një të ardhme të shëndoshë, me perspektivë, që të ndërtojmë një rini në mes dy shtyllave që e bëjnë një komb apo një civilizim përparues dhe të shëndoshë në brendësinë e tij, madje në shtylla në të cilat kanë thirrur të gjithë profetët e njerëzimit në to, e ato janë: Besimi i shëndoshë në një Zot të vetëm dhe moralet e larta, të cilat sot po i rrënojnë edhe popujt më të zhvilluar, pikërisht këto dy shtylla, humbja apo zbehja e këtyre dy tipareve bazë, thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Nuk është dërguar ndonjë profet përveçse për dy gjëra: Që njerëzit ta adhurojnë Zotin e tyre duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim dhe të përsosin moralin e njerëzve”.
————————-
[1] Kurse për ikametin në veshin e majtë ka dy hadithe njeri prej tyre është i sajuar, e tjetri është i dobët sipas dijetarëve që verifikojnë hadithet, shikoni në “Silsiletu ehadithu daife” të shejh Albanit. Ibën Bazi gjatë komentimit të “Zadul-mead” 2/333,thotë:”Ikameti përcillet në hadithe që zinxhirin e tyre nuk e kanë në rregull, mirëpo një vepër e tillë përcillet nga disa prej selefit”.
[2] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasenu-sahih, ndërsa Albani thotë se hadithi është i mirë në “Sahihu Tirmidhi” nr. 1514.
[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi, kurse Buhariu shton në këtë transmetim edhe fjalët: “Dhe e luti Allahun që fëmija të jetë i bereqetshëm”.
[4] Transmeton Ahmedi, Taberaniu në “El-kebir”, Bejhakiu në Sunenin e tij kurse zinxhiri i hadithit është i mirë, Albani hadithin e bënë të mirë në “Sahihu Tirmidhi” , si dhe në “Irvau-galil” .
[5] Transmeton Muslimi
[6] Transmeton Buhariu dhe Muslimi
[7] Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i mirë.
[8] Transmeton Buhariu
[9] Transmeton Ebu Davudi, Albani e saktëson në “Sahih ebu Davud” nr. 2841.
[10] Transmeton Ebu Davudi, Albani e saktëson hadithin në “Sahih Ebu Davud” nr. 2834.
[11] Transmeton Buhariu
[12] Transmeton Buhariu dhe Muslimi
[13] Transmeton Buhariu