Ç’është urtësia e krijimit të njerëzve dhe xhinëve?

*Përgjigje:*
Para se të filloj të flas për këtë pyetje, dua të theksoj një rregull të përgjithshëm që lidhet me atë që krijon All-llahu, subhanehu ue teala, dhe atë që ligjëron.

Ky rregull është nxjerrë nga ajeti i All-llahut, subhanehu ue teala:
“Ai është i Dituri, i Urti.” (et-Tahrim, 2);
– dhe nga ajeti: “Me të vërtetë All-llahu është i Ditur dhe i Urtë.” (en-Nisa, 42),

si dhe shumë ajete të tjera që aludojnë qartë në urtësinë e All-llahut, subhanehu ue teala, në atë që krijon dhe në atë që ligjëron, qofshin ato ligje kosmologjike apo fetare.

Çdo gjë që ka krijuar All-llahu, subhanehu ue teala, ka urtësinë e vet, qoftë në shpikjen e tij, qoftë në zhdukjen e tij. Po ashtu, çdo gjë që ligjëson ka urtësinë e vet, pa dallim nëse ka të bëjë me obligime, lejime apo ndalime.

Megjithatë, këto urtësi, qofshin ato kosmologjike apo fetare, mund të jenë të njohura për ne ose jo. Mund të ndodhë që një grup njerëzish t’i njohin, ndërsa një tjetër grup jo, për shkak të ndryshimeve në diturinë dhe mençurinë e tyre.

Pas kësaj, mund të themi se krijimi i njerëzve dhe xhinëve ka një urtësi të madhe dhe një qëllim të mrekullueshëm: *adhurimi i All-llahut, *subhanehu ue teala**. Siç thotë Kur’ani:
– *“…dhe nuk i kam krijuar njerëzit dhe xhinët për tjetër pos se të Më adhurojnë.”* (edh-Dharijat, 56);
– *“Mos vallë keni menduar se ju kemi krijuar për së koti dhe se nuk do të ktheheni te Ne?”* (el-Mu’minun, 115);
– *“A mendon njeriu se do të lihet i harruar.“* (el-Kijameh, 36).

Këto ajete, si dhe shumë të tjera, tregojnë qartë se All-llahu, azze ue xhel-le, ka urtësi të madhe për krijimin e njerëzve dhe xhinëve. Qëllimi kryesor është *adhurimi (ibadet)*.

Ibadet përkufizohet si:
– “Nënshtrimi ndaj All-llahut, azze ue xhel-le, me dashuri dhe madhërim, duke i praktikuar urdhërat e Tij dhe duke u larguar prej ndalesave të Tij, në mënyrën e përcaktuar në sheriat.”

All-llahu, subhanehu ue teala, thotë:
“Dhe nuk u urdhëruan për tjetër veçse të adhurojnë All-llahun me një adhurim të sinqertë, duke qenë të pastër në besimin e tyre.” (el-Bejjineh, 5).

Kjo është, pra, urtësia e krijimit të njerëzve dhe xhinëve. Ai që rrebelohet ndaj Zotit të tij dhe bëhet mendjemadh ndaj adhurimit të Tij, në fakt i kundërshton kësaj urtësie, për të cilën janë krijuar robërit e Tij.

Kjo vepër e tij tregon se ai beson se është krijuar pa qëllim dhe për së koti, edhe pse këtë mund të mos e shprehë haptazi. Megjithatë, kjo kuptohet nga rrebelimi dhe mendjemadhësia e tij ndaj respektit të All-llahut, subhanehu ue teala.

 

Shejh Uthejmin / Kushtet e Fesë