Pyetja:

Çfarë duhet të bëjë një njeri kur betohet rrejshëm në 99 Emrat e Allahut në Kuran? A ka pendim për të edhe çfarë duhet të bëjë që të pendohet?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, Një të Vetëm dhe të Pashoq, për të Cilin janë Emrat e Bukur dhe Cilësitë e Larta, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij ﷺ dhe mbi gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Gjëja e parë që duhet të bëjë ky njeri është që të shpejtojë në pendimin tek Allahu, sepse betimi i rrejshëm është prej gjynaheve të mëdha, sidomos edhe me përmendjen e 99 Emrave të Allahut. Nuk ka dyshim që ka pendim për të, thotë Allahu në Kuran:

“O robërit e Mi, të cilët keni tejkaluar caqet kundër vetvetes duke bërë gjynahe, mos i humbi shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtetë që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.” (Zummer: 53)

Porta e pendimit është e hapur përderisa si ka ardhur robit agonia e vdekjes, ashtu siç ka ardhur në hadithin e saktë që Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu e pranon pendimin e robit të Tij përderisa nuk i ka ardhur agonia e vdekjes”.

Ndërsa në një hadith tjetër të saktë Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu e pranon pendimin e robit të Tij përderisa nuk ka lindur Dielli nga Perëndimi”

Mënyra më e mirë e pendimit është siç ka ardhur në hadithin e Profetit ﷺ nga Ebi Bekrete i cili ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ që ka thënë: “Nuk ka njeri që bën gjynah dhe pastaj ngrihet dhe merr abdes, fal dy rekate dhe pastaj i kërkon falje Allahut, vetëm se do ta falë atë”.

Duke plotësuar kushtet e pendimit të cilat janë:

1. Largimi nga ky gjynah (betimi i rrejshëm).

2. Vendosmëria që të mos kthehet më në të.

3. Të bëhet pishman për atë që ka vepruar.

4. Të jetë pendimi përpara se t’i vijë agonia e vdekjes.

5. Të jetë i sinqertë në pendimin e tij.

Nëse i plotëson këto Allahu i Lartësuar do ta falë atë, inshallah.

Gjithashtu shtimi i veprave të mira është shkak për fshirjen e gjynaheve. Thotë Allahu në Kuran: “Me të vërtetë që veprat e mira i fshijnë të këqijat.”

Përsa i përket dënimit të tij, dënimet që jep Allahu në këtë dynja janë të ndryshme dhe të shumta si: mosdhënia sukses, ia ndalon rrëskun  dhe mospasja bereqet. Profeti ﷺ ka thënë: “Robi ia ndalon rrëskun vetes së tij me gjynahun që bën.” (hadith i saktë).

Gjithashtu nuk ia mundëson që të bëjë vepra të mira dhe gjithmonë është i poshtëruar, i brengosur, i mërzitur. Allahu na ruajttë!

Ndërsa në Ditën e Gjykimit dënimi është zjarri, nëse nuk pendohet. Transmetohet nga Ibn Mesud (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Gënjeshtra të çon në prishje (humbje) dhe prishja (humbja) të çon në zjarr dhe nuk pushon njeriu së gënjyeri derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar.” [1]

Gjithashtu gënjeshtra është prej cilësive të hipokritëve. Profeti ﷺ ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tre, edhe nëse falet dhe agjëron dhe pretendon që është mysliman, dhe tha: kur flet gënjen…” [2]

Besimtari gjithmonë duhet të kthehet tek Allahu me pendim për çdo gjynah, Allahu i do ata që pendohen, thotë Allahu në Kuran: “Allahu i do ata të cilët pendohen”

T’i përulet Atij dhe të qajë për gjendjen e tij të mjeruar. Ka qenë Profeti ﷺ që i kërkonte falje Allahut më shumë se 100 herë në ditë dhe në një transmetim tjetër 70 herë në ditë. Nuk ka dyshim që ne kemi më tepër nevojë ta praktikojmë këtë kërkim falje, sepse Profetit ﷺ i janë falur gjynahet dhe megjithatë kërkonte përsëri falje ndërsa ne nuk e kemi të sigurt faljen e gjynaheve tona.

Allahu e di më së miri.

O Allah, O Mëshirues, O Mëshirëbërës, O Falës! Na i fal të gjitha gjynahet tona dhe pranoja pendimin penduesit!

Hariz Allkoçi

—————————–

[1] Buhariu, Muslimi

[2] Buhariu, Muslimi