Pyetje: Çfarë urtesish kane ardhur në lidhje me marrëdhënien e Jakubit alejhi Selam me fëmijët e tij ( jo me Jusufin dhe Benjamin por me të tjerët).
Po mendoja si do reagonim ne nëse fëmijët tanë do e bënin diçka të tillë apo diçka edhe shumë më të vogël. Sdo i kishim fol ndoshta më kurrë.
A është edhe kjo shenjë e ngushtesise se zemrave dhe vogelsise se imanit që kemi?
Përgjigja: Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Së pari:
Në historinë e Jakubit alejhi selam ka një urtësi shumë të madhe që shpesh na kalon pa u vënë re. Ne zakonisht ndalemi te durimi i tij për humbjen e Jusufit, alejhi selam, por harrojmë mënyrën se si ai u soll me bijtë e tjerë, megjithëse ata ishin shkaku i asaj fatkeqësie. Jakubi alejhi selam nuk e mohoi gabimin e tyre, por as nuk e harroi.
Kur ata kërkuan ta merrnin Jusufin me vete, ai hezitoi, ua shprehu frikën dhe nuk u bind menjëherë. Ata vazhduan ta luteshin derisa ai pranoi. Kur ndodhi ajo që ndodhi, ai e kuptoi se ishin tradhtuar besimin e tij.
Më vonë, kur kërkuan edhe Beniaminin, ai nuk u soll sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Përkundrazi u tha:
(قَالَ هَلْ آمَنُكُمْ عَلَيْهِ إِلا كَمَا أَمِنتُكُمْ عَلَى أَخِيهِ مِن قَبْلُ)
“A t’jua besoj atë, ashtu siç jua besova më parë vëllanë e tij?” (Jusuf: 64)
Pra, plaga ishte ende e hapur. Mirëpo ai nuk e la dhimbjen ta kthente në padrejtësi. Mori prej tyre besëlidhje të fortë dhe, mbi të gjitha, tha:
(فَاللهُ خَيْرٌ حَافِظًا)
“Allahu është Ruajtësi më i mirë.”
Edhe dijetarët kanë vënë në dukje se Jakubi, alejhi selam, nuk u mbështet te premtimet e tyre, sepse i kishte provuar. Ai u mbështet tek Allahu, ndërsa mori edhe shkaqet që kishte në dorë: u kërkoi betim dhe besëlidhje.
Së dyti: Po të ishim ne në vendin e tij?Shumica prej nesh, siç dhe e ka përmendur pyetësja, ndoshta nuk do t’u flisnim ose do t’u thoshim:
“Nuk dua t’ju shoh më me sy.”
Madje ka njerëz që prishin marrëdhëniet me fëmijët për gabime shumë më të vogla: një fjalë të rëndë, një mosbindje ose një zhgënjim. Ndërsa Jakubi, alejhi selam, përjetoi një nga tradhtitë më të rënda që mund t’i bëjnë fëmijët një prindi: ia morën djalin, e hodhën në pus, e mashtruan me gjak të rremë dhe e lanë për vite të tëra të jetonte me një dhimbje që nuk e meritonte. Megjithatë, ai vazhdoi të ishte babai i tyre. I këshilloi, u lutej Allahut për ta, fliste me ta dhe nuk ua mbylli derën e pendimit.
Së treti: A është kjo shenjë e ngushtësisë së zemrës dhe dobësisë së imanit?
Mendoj që po, sepse sa më e mbushur të jetë zemra me iman, aq më e madhe bëhet aftësia për të duruar, për të falur dhe për të shpresuar në përmirësimin e njerëzve.
Kjo nuk do të thotë se besimtari nuk lëndohet. Edhe Jakubi, alejhi selam, qau derisa humbi shikimin nga pikëllimi; por ai nuk lejoi që dhimbja ta kthente në njeri hakmarrës apo të padrejtë (siç ndodh me keqardhje me disa njerëz).
Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se kjo nuk do të thotë të jemi naivë. Jakubi, alejhi selam, nuk ua dha Beniaminin pa kushte. Ai u kujtoi gabimin e mëparshëm, u kërkoi besëlidhje dhe e lidhi zemrën me Allahun. Pra, besimtari fal, por edhe mëson nga përvoja.
Allahu e di me së miri!
/Dr.Adelina Kuçana/




