Pyetja:

Çfarë është derogimi (nes’hi) në Kuran?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Derogim apo nes’hi në kuptimin gjuhësor do të thotë anulim i diçkaje që ka qenë prezente apo shlyerje, kurse në aspektin e sheriatit ka shumë definicione e ne po zgjedhim njërën nga këto, ajo është: “Anulimi i një dispozite të sheriatit nga Ligjëdhënësi (Allahu) me një dispozitë tjetër.”

Argumente për këtë ka shumë e ne po përmendim   thënien e Allahut në Kuran: “Ne nuk shfuqizojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e ke ditur se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send”? (Bekare, 106)

Dhe ajeti: “Kur një ajet e zëvendësojmë me një tjetër – e Allahu di më së miri se çka shpall – ata thonë: ‘Ti (Muhamed) je vetëm trillues.’ Jo, por shumica e tyre nuk dinë.” (Nahl, 101)

Nga këto ajete kuptojmë se anulimi i disa dispozitave me dispozita të tjera është evidente dhe se Allahu është Ai i Cili di se kur duhet të zëvendësohet një dispozië me tjetrën.

Si shembul për këtë kemi rastin kur muslimanët në fillim të shpalljes  në kohën e Profetit (alejhi selam) faleshin drejt Jeruzalemit (drejt xhamisë Aksa), pastaj zbret ajeti ku urdhërohen muslimanët të kthehen në drejtim të Mekës, pra drejt Qabes.

Shembull tjetër është ai se gruas të cilës i vdiste burri, e cila nuk ishte shtatzënë, ishte e obliguar të priste një vit, e pastaj nëse dëshironte të martohej, kishte të drejtë. Kjo dispozitë u pezullua në mënyrë të plotë për të gjitha gratë të cilave u vdesin burrat, e që nuk janë shtatzanë, që ato të presin vetëm katër muaj e dhjetë ditë.

Dispozita e parë përfshihet në ajetin ku Allahu i Lartësuar thotë:

Ata që vdesin nga mesi i juaj dhe lënë pas vete gra, le të testamentojnë  (lënë porosi) për gratë e tyre, furnizimin për një vit, duke mos i nxjerrë prej shtëpisë. E nëse (me dëshirën e vet) dalin, nuk është mëkat për ju për atë punë të lejueshme që bëjnë ato me vetveten. Allahu është më i fuqishmi, më i dituri.” (Bekare, 240)

Kjo dispozitë anulohet me ajetin tjetër ku caktoi se koha e pritjes është katër muaj e dhjetë ditë, Allahu i Lartësuar thotë:

E ata që vdesin dhe lënë gra pas vete, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë. E kur ta kryejnë ato afatin e tyre, nuk është mëkat për ju (familja kujdestare) për atë që bëjnë ato në mënyrë të njerëzishme me veten e tyre. Allahu hollësisht e di çfarë veproni.” (Bekare, 234)

Nes’hi apo derogimi është disa lloje dhe për këtë çështje dijetarët kanë shkruar libra të shumtë dhe e kanë shtjelluar me detaje të shumta e këtu është e pamundur të shtjellohen ato çështje, por shpresojmë në të ardhmen se një nga këto libra që janë shkruar do të mund ta gjejmë të përkthyer edhe në gjuhen shqipe.

Alaudin Abazi.